Alarm për sulme terroriste ndaj futbollistëve të Izraelit në Shqipëri

Alarm për sulme terroriste ndaj futbollistëve të Izraelit në Shqipëri

Pesë ditë para zhvillimit të ndeshjes Shqipëri – Izrael, kërcënimi për sulme terroriste zhvendos takimin nga Shkodra në Elbasan.

Vendimi është marrë nga UEFA për shkaqe sigurie. Këtë e pranon edhe Federata Izraelite e Futbollit në një reagim në faqen e saj në Faceboook, njofton Jerusalem Post.

Ajo sqaron se janë njoftuar nga homologët shqiptarë për kërkesën drejtuar UEFA-s për ta realizuar takimin në Elbasan Arena, për arsye sigurie, duke marrë dhe miratimin e tyre.

Kalimi nga Shkodra në Elbasan është bërë pasi pak ditë më parë në Shkodër ka patur arrestime të 4 personave që dyshohet se ishin duke planifikuar akte terroriste, me media të ndryshme që duke cituar burime të prokurorisë bëjnë të ditur se sinjalizimi për këtë cështje është kryer pikërisht nga shërbimi sekret izraelit.

Sipas përgjimeve të prokurorisë shqiptare, të arrestuarit Ergys Fasllia, Bekim Protopapa, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani, mund të kryenin sulme para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Këto të dhëna të siguruara nga Shërbimi Informativ Shqiptar në bashkëpunim me atë Izraelit – Mossad, vunë në alarm autoritetet shqiptare, të cilat ndërruan lokacionin e ndeshjes.

Përsa i përket sigurisë, Elbasan Arena ka kaluar prova të rëndësishme siç ishte ajo e ndeshjes me Serbinë dhe në këtë mënyrë do të jetë impianti i qytetit të Shqipërisë së Mesme vendi ku do të luhet Shqipëri Izrael. /Insajderi.com