I akuzuari për korrupsion i bashkohet partisë që udhëhiqet nga një i akuzuar tjetër

I akuzuari për korrupsion i bashkohet partisë që udhëhiqet nga një i akuzuar tjetër

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja, i cili është i akuzuar nga Prokuroria Speciale për favorizim të një biznesmeni gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Lipjanit, pritet t’i bashkohet Nismës për Kosovën.

Largimin nga PDK ai ia konfirmuar portalit lajmi.net, por nuk ka treguar se cilës parti do t’i bashkohet.

“Po, nesër do ta merrni vesh se me cilën parti do të bashkohem”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Insajderi ka kontaktuar me Endrit Shalën nga Nisma për Kosovën, i cili nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë lëvizjen e re politike të Bujës.

Megjithatë, ai as nuk e ka mohuar që partisë së tij do t’i bashkohet ish-kryetari i Lipjanit.

Javë më parë, Buja ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit të degës së PDK-së në Lipjan.

Nisma për Kosovën është themeluar pikërisht nga ish-drejtues të lartë të PDK-së, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj.

Në këtë kontekst, Buja pritet t’i bashkohet një numri të madh të ish-kolegëve të tij që kohë më parë kanë zhvilluar aktivitetin politik tek PDK-ja.

Një tjetër e përbashkët me liderin e kësaj partie, Limajn, është se që të dy kanë aktakuza për korrupsion nga drejtësia e shtetit.

Insajderi ka raportuar në fillim të këtij viti rreth një trualli në Komunën e Lipjanit, e cila paraprakisht ishte destinuar si industriale, para se të ndërrohej plani urbanistik nga Komuna, për t’ia mundësur një biznesmeni, Fahri Retkocerit,  të ndërtojë një objekt në atë lokacion.