Akuzohen 19 vetë për dhunën në Ambasadën e Turqisë

30.08.2017 13:19
Akuzohen 19 vetë për dhunën në Ambasadën e Turqisë

Prokurorët amerikanë thanë mbrëmë se janë akuzuar 15 zyrtarë turq të sigurisë dhe katër persona të tjerë, për dhunën gjatë vizitës së fundit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Njëmbëdhjetë vetë ishin lënduar në atë që shefi i policisë në Uashington e ka cilësuar si “sulm brutal” kundër protestuesve paqësorë, afër rezidencës së ambasadorit turk, pasi Erdogan ishte takuar me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, më 16 maj të këtij viti.

Prokurorët thanë se të gjithë ata janë të akuzuar për konspiracion për të kryer krim të dhunës dhe mund të ballafaqohen me 15 vjet burg, nëse shpallen fajtorë në gjykatë.

Ambasada e Turqisë për këtë dhunë i ka fajësuar demonstruesit e ndërlidhur me Partinë Punëtore të Kurdistanit, e cila nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, konsiderohet grup terrorist.