Vetëvendosje mbron të përfshirët në aferën e lokaleve

Vetëvendosje mbron të përfshirët në aferën e lokaleve

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një kumtese, sot ka reaguar ndaj atyre që ajo i ka quajtur sulme ndaj anëtarëve të saj nga komune e Prishtinës si dhe ka përmendur bisedën e zyrtarëve të NPB-së.

Pasi ka përkujtua, siç thotë, ringjalljen e Ndërmarrjes Publike Banesor, akuzon kryetarin e komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti për këto sulme dhe shton se biseda është bërë publike e seleksionuar.

Kjo është kumtesa-reagim e Vetëvendosjes:

“Këto dy ditë në media, kemi lexuar dhe kemi dëgjuar sulme ndaj anëtarëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që janë të angazhuar pranë Komunës së Prishtinës, dhe kemi dëgjuar gjithashtu të jetë bërë publike një bisedë e zyrtarëve në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Së pari, dëshirojmë t’ia kujtojmë publikut se NPB-ja është një ndërmarrje e rigjallëruar dhe e funksionalizuar si asnjë ndërmarrje tjetër në Komunën e Prishtinës. Nga një ndërmarrje e zhytur në borxhe dhe korrupsion, ajo është kthyer në ndërmarrjen e vetme lokale fitimprurëse në nivel të Kosovës, që punon me transparencë dhe përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve të Prishtinës. E gjithë kjo është arritur falë punës dhe përkushtimit të drejtuesëve dhe stafit të NPB në këto 4 vite.

Së dyti, ne jemi interesuar për të kuptuar më mirë atë që ka ndodhur në lidhje me bisedën e publikuar dhe sulmet publike që i janë bërë stafit të NPB-së drejtpërdrejt nga kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, dhe nga njerëz të dirigjuar prej tij brenda Komunës së Prishtinës. Nga informacioni që kemi deri më sot kemi kuptuar që bisedat e bëra publike janë prerë në mënyrë të tillë që të nxjerrin jashtë kontekstit diskutimet e bëra mes zyrtarëve të NPB-së. Megjithatë, Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë fton organet të hetojnë çfarëdo pretendimi për shkelje, si dhe do ta trajtojë rastin edhe përmes mekanizmave të brendshëm statutorë të Lëvizjes.

Së treti, është e qartë pse Shpend Ahmeti, dhe zyrtarët e dirigjuar prej tij, po sulmojnë zyrtarët e NPB-së pikërisht tash, edhe pse pretendimi është se shkelja ka ndodhur 5 muaj më parë e këto regjistrime janë bërë pikërisht nga njerëzit e Shpend Ahmetit që kanë qenë prezentë në atë mbledhje. Ky sulm vjen pas shkarkimit që ndodhi në Kuvendin Komunal të aksionarit të PSD-së në këtë ndërmarrje, i cili kishte kryer shkelje të vërtetuara nga autoritetet. Meqenëse Shpend Ahmeti e humbi një zyrtar të gatshëm për të kryer shkelje në NPB, ai po tenton të shantazhojë zyrtarët e tjerë të kësaj ndërmarrjeje. Në dy seancat e fundit të Kuvendit Komunal, asambleistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk lejuan uljen e standardit që do të mundësonte keqmenaxhimin e pronës publike të Komunës. Prandaj, Shpend Ahmeti dhe PSD, sot nuk po zgjedhin më mjet për të arritur synimet e tyre të ngushta personale.

E Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë synon të ndërtojë një model pune në institucionet e Kosovës që është i ngritur mbi drejtësinë dhe transparencën, që nuk diskriminon dhe favorizon askënd, por që ngrihet mbi vlerat e shtetit të së drejtës dhe të mirën e përbashkët. Këtë model ne do ta sjellim në jetë pavarësisht luftës speciale, dhe pavarësisht se nga kush orkestrohet ajo”.