Akuzat e aktivistit Barani ndaj gazetarit Bytyqi për shitjen e xhirimeve të luftës

Kryetari i KMDLNJ-së, Halit Barani ka akuzuar gazetarin Nuhi Bytyqin për keqpërdorim të fotografisë dhe xhirimeve të realizuara gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Akuzat e aktivistit Barani ndaj gazetarit Bytyqi për shitjen e xhirimeve të luftës

Akuzat për përfitime të markave gjatë kohës së luftës në Kosovë filluan mes nënkryetarit të Kuvnedit, Xhavit Halitit dhe deputetit e LDK-së, Anton Qunit.

Haliti akuzohej nga Quni se gjatë verës së vitit 1998 kishte marrë 8 milion marka nga Qeveria e Bujar Bukoshit, ndërsa Haliti mohonte këto akuza duke thënë se Quni ka gënjyer dhe nuk ka fare fakte.

Akuza për përfitime të markave, ka drejtuar edhe Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut për rajonin e Mitrovicës, Halit Barani, duke e quajtur vjedhës gazetarin Nuhi Bytyqin.

Kjo përshkak të një fotografie dhe disa incizimeve të realizuara nga Barani, të cilat sipas tij i ka keqpërdorur Bytyqi, duke përfituar nga ato.

Barani ka thënë se incizimet e realizuara në kohë lufte, janë bërë me qëllim të qëllim të sensibilizimit të gjendjes së rënd të luftës që ka ndodhur në Kosovë, dhe të njëjtat ka thënë se ia ka dhënë Nuhi Bytyqit, i cili i ka keqpërdorur, duke i shitur dhe përfituar nga to.

“Gjatë kohës së luftës unë me shokët e mi kemi realizu incizime me qëllim të sensibilizimit të gjendjes së rënd të luftës që ka ndodhë në Kosovë. Dhe unë ju kam dhanë jo vetëm atë fotografi, por edhe njëmbëdhjetë orë incizime të luftës Nuhi Bytyqit, të cilat i ka keqpërdorur, dhe kanë përfitu nga punët e mija personale. Ai ka qenë bashkë me Migjen kelmendin”, ka thënë Barani për Insadjerin.

Ai ka thënë se fotografinë, dhe incizimin njëmbëdhjetë orësh, Bytyqi i ka shitur 900 marka një agjensioni amerikan.

“Me incizimin tim dhe fotografitë e mija ata nuk kanë pas lidhje asgjë, dhe vetëm këtë incizimin për të cilin po flas e kanë shitë 900 marka Nuhi Bytyqi një agjensioni amerikan”, ka thënë ai.

Ndërsa për Migjen Kelmendin, ka thënë se i ka keqpërdorur incizimet e tija edhe para luftës, duke ia marrë katër kaseta, të cilat kanë qenë kanë pasur nga tri orë incizime secila, dhe i njëjti përmes këtyre ka bërë filma.

“Migjen Kelmendi m’i ka keqpërdorë incizimet edhe para luftës, m’i ka marrë katër kaseta, të cilat kanë qenë incizime nga tri orë, edhe përmes tyre kanë bërë filma. E unë kam mëndu që po e bëjnë sensibilizimin e gjendjes në Kosovë në kohën e luftës. Por ata e kishin pas për qëllime personale”, është shprehur ai.

Ai ka shtuar se për këto incizime ka rrezikuar edhe dy vajzat e tij, sepse sipas Baranit, ato i kanë dërgu deri në Prishtinë ato incizime, kur në Kosovë ka qenë duke u zhvilluar lufta.

“Unë i kam rreziku fëmijën e mi, njëra vajzë i ka pas njëmbëdhjetë vite, tjetra dymbëdhjetë, ato i kanë dërgu incizimet deri në Prishtinë, përmes autobusit, e këta i kanë keqpërdor. Dhe për mu ky person është hajn, vjedhës, e gjithçka e nuk është njeri”, ka përfunduar ai.

Akuzat e Baranit i ka mohuar gazetari, Nuhi Bytyqi

Të gjitha këto akuza i ka mohuar gazetari, Nuhi Bytyqi, duke thënë se pa asnjë argumente Barani ka gjuajtur akuza drejt tij, dhe se asnjë incizim nuk e keqpërdorur, e as shitur.

“Me vjen keq që zotri Barani pa asnjë argument më akuzon për keqpërdorimin e xhirimit-fotos të tij të bërë në Llaushë më 22 maj 1998”, ka thënë Bytyqi për Insajderin.

Bytyqi ka pranuar se në përidhën e luftës në Kosovë, kanë bashkëpunuar me Halil Baranin, ku një pjesë të gjirimit të tij e kanë përfshirë në emisionin “Infoplus”, të redaksisë së Kosovës, e cila aso kohe transmetohej në televizionin shqiptar.

“Është e vërtetë se në një periudhë gjatë viteve të luftës si redaksi e Kosovës në TVSH kemi bashkëpunuar me zotri Baranin dhe një pjesë të këtij xhirimi të tij, bashkë me shefin e redaksisë Migjen Kelmendin e kemi përfshirë në emisionin “Infoplus” të redaksisë së Kosovës, i cili është transmetuar në Televizionin Shqiptar. Mirëpo, deklaroj me përgjegjësi se unë këtë xhirim në asnjë mënyrë  nuk e kam keqpërdorur, nuk ja kam shitur askujt, asnjë agjencie të huaj”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi ka shtuar se akuzat e Baranit drejt tij janë të pabaza e të paqëndrueshme, duke thënë se Barani se nuk ekziton ndonjë nënshkrim se kur i ka shitur xhirimet e tij.

“Akuzat e z.Barani janë të pabaza dhe të paqëndrueshme. Ai nuk përmend asnjë dëshmi të vetme, se kur dhe cilës agjenci amerikane unë ja paskam kam shitur xhirimin-foton e tij, a ka ndonjë nënshkrim timin për këtë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjatë kohës së luftës ka pasur ekipin e tij, kameramanët, Abaz Zeka dhe Sadik Shabani, që kanë xhiruar në zonat e luftës, dhe se nuk është marrë asnjëherë me blerje apo shitje të ndonjë xhirimi, apo fotoje të dikujt tjetër.

“Gjatë kohës së luftës në Kosovë unë e kam pas ekipin tim, kameramanët Abaz Zeka dhe Sadik Shabani, që kanë xhiruar në zonat e luftës dhe unë nuk jam marrë asnjëherë as me blerje, as shitje të asnjë xhirimi-foto të tij as të ndokujt tjetër. Unë jam munduar që bashkë me kolegët e mi ta kryej me nder detyrën time si gazetar dhe besoj se për kontributin tim gjatë kohës së luftës në Kosovë është i informuar opinioni i gjerë dhe askush nuk mund të mundohet ta mohojë këtë kontribut”, ka përfunduar Bytyqi. /Insajderi.com