Akuza të rënda ndaj tij, por partitë ende pa kandidatë që ta sfidojnë Ahmetin

Akuza të rënda ndaj tij, por partitë ende pa kandidatë që ta sfidojnë Ahmetin

Shpeshtimi i konferencave dhe akuzat mes opozitës dhe ekzekutivit në kryeqytet, janë shenjat e para të para-fushatës, dy muaj e gjysmë para zgjedhjeve lokale.

Kryetari aktual, Shpend Ahmeti, disa herë ka konfirmuar synimet për të drejtuar Prishtinën edhe për 4 vjet, raporton KTV.

Partia e Ahmetit ka thënë se do t’i japin rëndësi edhe garës për Kuvendin Komunal.

E përgatitjet për zgjedhjet e 22 tetorit i kanë filluar edhe partitë e tjera. Por, saktësisht dy muaj para zgjedhjeve, ato duhet t’i dërgojnë listat e kandidatëve në KQZ.

“Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale është 22 gushti. Pra, deri në këtë datë subjektet politike duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe për asamble komunale”, ka thënë Valmir Elezi, nga KQZ.

Sipas Elezit, pak më shumë se dy javë para mbylljes së afatit, ende nuk është përmbyllur asnjë aplikim.

Ndërkaq, partitë kryesore ende nuk kanë vendosur për emrat që do ta sfidojnë Shpend Ahmetin për kreun e Prishtinës.

Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku e Ismet Beqiri, jo-zyrtarisht janë përfolur si emra që mund ta sfidojnë Ahmetin.

Pa përmendur ndonjë emër – asnjërin nga kjo treshe nuk e ka përjashtuar nga gara, shefi i asamblistëve të LDK-së në kryeqytet, Agim Gashi.

Emrin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, nuk e ka zbuluar as partneri qeverisës i Vetëvendosjes në kryeqytet – AAK.

Drejtori aktual i Shërbimeve Publike, nga radhët e kësaj të fundit, Gent Begolli, ka përjashtuar mundësinë që ai të jetë rival i shefit të tij aktual në komunë.

Jo zyrtarisht është mësuar se as Besnik Tahiri nuk do ta sfidojë Ahmetin më 22 tetor.

Korab Sejdiu e Behgjet Pacolli janë përfolur si kandidatë të mundshëm nga Aleanca Kosova e Re për të parin e Prishtinës. Por, futjen Pacolli në këtë garë e kanë mohuar në partinë e tij.

LDK-ja, AKR-ja e AAK-ja kanë paralajmëruar lista kualitative të kandidatëve për asamblist.

Megjithëse jo zyrtarisht, publikisht rivali i vetëm i Shpend Ahmetit për kreun e Prishtinës, deri në këtë fazë – është asamblisti i PDK-së, Lirak Çelaj.