Akuza kundër hakerit iranian që depërtoi në HBO

Akuza kundër hakerit iranian që depërtoi në HBO

Prokurorët amerikanë po ngrenë akuza kundër një iraniani që arriti të hyjë në një sistem kompjuterash të kanalit televiziv kabllor HBO në fillim të vitit, duke vjedhur informacione rreth serialit mjaft popullor, Game of Thrones dhe duke u përpjekur të zhvasë miliona dollarë nga kompania.

Padia e ngritur të martën ndaj 29-vjeçarit Behzad Mesri erdhi me një paralajmërim të prokurorëve ndaj atyre që cënojnë kompanitë apo individët amerikanë.

“Mesri dhe kriminelë të tjerë në internet duhet ta dinë se nuk do të fshishen dot pas anonimitetit të ekraneve të kompjuterëve të tyre edhe nëse janë shumë larg. Nëse sulmoni njerëzit tanë, ne do të punojmë pa pushim t’ju identifikojmë, t’ju ndjekim penalisht, t’ju arrestojmë dhe do t’ju sjellim para drejtësisë”, tha Joon H. Kim, prokuror në detyrë për distriktin jugor të Nju Jorkut.

Pasi kanali HBO refuzoi emailin e tij në të cilin ai kërkonte miliona dollarë për të dorëzuar informacionin e vjedhur, Mesri thuhet të ketë postuar pjesë të videove të vjedhura dhe pesë skenarë edisodesh nga filmi Game of Throne në faqe elektronike të kontrolluara prej tij.

Mesri nuk është arrestuar ende dhe përballet me disa akuza përfshi, mashtrim financiar përmes internetit që mbart një dënim maksimal prej 20 vjet heqje lirie dhe një akuzë për pirateri kompjuterike që mund të sjell një dënim deri në pesë vjet burg.

Aktakuza është një nga disa raste që përfshijnë të dyshuar iranianë. Në korrik, Departamenti i Drejtësisë ngriti akuza ndaj dy shtetasve iranianë për hakerimin e një kompanie kompjuterike me seli në Vermont./Zëri i Amerikës