Akuza e orëve të vona: Kurteshi dekonspiron takimet ilegale të Molliqajt

Akuza e orëve të vona: Kurteshi dekonspiron takimet ilegale të Molliqajt

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, ka lëshuar një akuzë të re pak para mesnatës ndaj ish-sekretarit organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj.

Kurteshi ka përdorur siç ka thënë ai “ankesat e aktivistëve” për të akuzuar Molliqajn se po organizon takime sekrete me aktivistët e Lëvizjes.

“Disa aktivistë dhe anëtarë kryesie të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ditëve të fundit po ankohen se ish Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj po organizon takime ilegale me aktivistet e Lëvizjes..”, shkruan Kurteshi.

Ai madje pretendon ta dijë edhe çka po flitet në ato takime.

“Në këto takime, sipas aktivistëve, ai po pretendon se ai, dhe përkrahësit e tij, do të bëjnë një “çarje të madhe” në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re. Në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Kurteshi.

Më pas, i dënon këto takime.

“Secili ka të drejtën e fjalës së lirë, por kjo e drejtë dhe pozicionet që njerëzit mbajnë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk mund të keqpërdoren duke përhapur dezinformata brenda Lëvizjes, me qëllim të dobësimit të saj. Veprime e tilla të dëmshme janë të papranueshme dhe si të tilla duhen të ndalen menjëherë”, ka shkruar Kurteshi.

E tek në fund, tregon për disa rregullore dhe për lëvizje brenda Lëvizjes.

“Në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, angazhimi dhe puna e organeve vendimmarrëse dhe organizimi i aktiviteteve po vazhdojnë, në përputhje me Statutin dhe rregulloret e brendshme, si dhe po respektohet demokracia e brendshme dhe parimet tona politike. Përkrahja e madhe për Lëvizjen që po ndodh këto ditë është garancia më e mirë se asnjë manipulim nuk mund ta ndalë rritjen dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj çfarëdo përpjekje për dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje është e kotë”, ka shkruar Kurteshi./Insajderi.com