Akuza e Haradinajt ndaj kryeministrit për trafikim të demarkacionit

Akuza e Haradinajt ndaj kryeministrit për trafikim të demarkacionit

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po e sheh marrëveshjen aktuale për demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje të cilën kryeministri Isa Mustafa po tenton ta “trafikoj” në kuvendin e Kosovës, kështu duke e krahasuar me ligjin fillestar për Trepçën.

“Në rastin e ligjit për Trepçën, provoi një kohë me e trafiku një ligj të gabuar. E kanë sjellë një ligj të gabuar nuk e kemi mbështet, ka ardhur ligji i dytë ne e kemi votuar. Mundet edhe demarkacioni të rregullohet, ne e votojmë. Mirëpo tani kryeministri po thotë hajde të pajtohemi që Kosova nuk është zvogëlua, por Mali i Zi është rritë. Kjo është hajgare ordinere, ky është tipik trafikim, e këtë ka tentuar ta bëj edhe me Trepçën” ka thënë Haradinaj në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.

Sipas tij mundësia është e hapur që opozita dhe pozita të nënshkruajnë një marrëveshje për rishikimin e demarkacionit me Malin e Zi, gjë që beson që as Mali i Zi nuk do ta kundërshtoj.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes politike do të definohet se cili do të jetë procesi i rishikimit ka thënë Haradinaj.

“Ne jemi për me arrit një deklaratë të përbashkët politike që të rishikohet procesi. Nuk e shohim zgjidhjen përmes një veprimi, ne e shohim shumë të arsyeshme nënshkrimin e një marrëveshje për rishikim. Pastaj definohet çka është procesi i rishikimit, a do të behet përmes matjeve apo çfarë. As Mali i Zi nuk është kundër. Ata kanë deklaruar disa herë që nuk kanë ndonjë pretendim territorial ” ka deklaruar Haradinaj

Ndër të tjera ai ka thënë që nuk kërkon përgjegjësi politike, nuk është tepër domethënëse se kush ka gabuar, me rendësi është që procesi të përfundoj sa më shpejt, ngaqë qytetarët po humbin me vonimin e liberalizimit të vizave.