Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës kërkojnë rritje të pagës

27.03.2017 14:08
Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës kërkojnë rritje të pagës

Aktorët rezident të TKK-së në Ditën Botërore të Teatrit kanë kërkuar që të shqyrtohen kërkesat e tyre, duke përfshirë edhe rritjen e pagës bazë, në këtë kundërtën, ata kanë paralajmëruar bllokimin e gjithë repertorit të TKK-së. Ata kanë lënë hapësirë për plotësimin e kërkesave të tyre për disa javë.

Kjo protestë nuk ishte si protestat e zakonshme që jemi mësuar t’i shohim.

Aktorët e trupës rezidente të TKK-së, përpos fjalimit të mbajtur nga kryetari i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ismet Azemi dhe leximit të kërkesës drejtuar Ministrisë së Kulturës, Këshillit Drejtues të TKK-së dhe dy drejtorëve të këtij institucioni, atij të përgjithshëm dhe artistik, e cila u lexua nga aktori Shkëlzen Veseli, mbajtën edhe një performancë interesante në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo performancë nuk kishte aktorë, ishte vetëm skena dhe dritat e lëshuara mbi të. E pas disa minutave heshtje që mbizotëroi në këtë sallë, aktorët nisën të duartrokitnin. “Bravo, bravo… hajde edhe njëherë…” ishin thirrjet e aktorëve të trupës rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës, drejtuar skenës së zbrazët të këtij institucioni.

“Ju njoftojmë se nëse gjatë javëve të ardhshme nuk shohim hapa konkret dhe nëse nuk përfillet kërkesa jonë për ngritjen e pagës bazë, ne aktorët e TKK-së, pa vullnetin tonë, jemi të shtrënguar t’i bëjmë publike edhe hapat tonë të mëtutjeshëm sindikal, në përputhje me ligjet sindikale si dhe në bashkërendim me SBASHK-un, ashtu siç ju kemi paralajmëruar edhe në shkresat tona paraprake gjatë vitit 2016 dhe 2017, deri në grevë të përgjithshme dhe bllokim të tërësishëm të repertorit të TKK-së”, thuhet në kërkesën e aktorëve të drejtuar institucioneve të lartpërmendura.

Kjo kërkesë sipas aktorëve të TKK-së, bazohet në përgatitjen e tyre profesionale, shkallën e përgjegjësisë, specifikës së vendit të punës, volumin e punës së shtuar, punës pa orar e cila arrin edhe deri në 16 orë në ditë, punës gjatë vikendeve dhe festave zyrtare, kalendarit të ngjeshur të aktiviteteve brenda dhe jashtë vendit, numrit të reprizave, numrit të shikuesve dhe mbi të gjitha rëndësinë e institucionit.