Ndërron jetë Astrit Dehari – dyshohet se kreu vetëvrasje

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili po mbahej prej 68 ditësh në paraburgim, dyshohet se ka kryer vetëvrasje sot në burgun e Prizrenit.

Ndërron jetë Astrit Dehari – dyshohet se kreu vetëvrasje

Aktivisti i Vetëvendosjes i cili është arrestuar nga Policia e Kosovës më 30 gusht të këtij viti, nën akuzën se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, dyshohet se ka kryer vetëvrasje në burgun e Prizrenit.

Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin se sot, më 5.11.2016, në rrethana ende të pasqaruara, i paraburgosuri A.D., ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e SHKK-së, raporton Insajderi.

Sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës kishte ndodhur më 6 gusht të këtij viti, derisa Policia e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij dhe pesë aktivistëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje mbajti një aksion simbolik pranë burgut të Prizrenit, aty ku sipas tyre padrejtësisht po mbahej, për 67 ditë Astrit Dehari. Ata kërkuan lirimin e aktivistit të lëvizjes së tyre. /Insajderi.com