Aktakuzë kundër zyrtarit të Komunës së Suharekës

25.02.2016 13:57
Aktakuzë kundër zyrtarit të Komunës së Suharekës

 

Prizren, 25 shkurt  – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S. H., për shkak se ka kryer veprën  penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1 të  KP-së.

I pandehuri S.H., në cilësi të personit zyrtar në komunën e Suharekës, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tija me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër, dhe me këtë rast ka shkelur me dashje ligjin lidhur me detyrat e punësimit të tij.

S.H., në kundërshtim me Ligjin 04/L-144 për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme që është në pronësi të komunës, dhe Rregullores 23/2013 për përcaktimin e procedurave për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme që është në pronësi të komunës, ka lidhur kontratën mbi dhënien e tokës ndërtimore në shfrytëzim të përkohshëm me qira, si përfaqësues i komunës së Suharekës me një ndërmarrje po nga komuna e Suharekës.

Me këtë S.H., pa autorizim nga Kryetari i Komunës ka nënshkruar kontratë, me ç’ rast kontraktuesit nga Suhareka  i ka mundësuar dobi edhe atë shfrytëzimin e kësaj parcele kadastrale pa i ndjekur procedurat e rregullta ligjore dhe ka shkelur me dashje ligjin dhe rregulloren e lartcekur. Me këto veprime S.H., ka kryer veprën  penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1 të  KP-së.