Aktakuzë kundër një zyrtari policor për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Aktakuzë kundër një zyrtari policor për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër një zyrtari policor H.M., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Sipas aktakuzës, i pandehuri H.M., zyrtar i Policisë së Kosovës nga Stacioni Policor në Suharekë, më datë 07.05.2016, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin M.P., përkatësisht duke dëmtuar personin N.B.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se i dëmtuari N.B., kishte raportuar në polici se i janë vjedhur një sasi prej tridhjetenëntë (39) thasë të çimentos. Ndërkaq, gjatë një pike të kontrollit të policisë është ndaluar i dyshuari M.P., i cili ka qenë duke drejtuar kombin me 39 thasë të çimentos që kanë qenë të vjedhura në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit N.B.

Përkundër këtyre fakteve zyrtari policor H.M., duke shfrytëzuar autoritetin e tij zyrtar nuk ka lejuar që të ndalohet i dyshuari M.P., dhe t’i sekuestrohet përkohësisht çimentoja e vjedhur e cila do të shërbejë si provë materiale gjatë hetimeve dhe kombi si mjet me të cilën është kryer vepra penale.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri H.M., ka kryer veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, njofton Prokuroria Themelore në Prizren./Insajderi.com