Aktakuzë kundër Azem Sylës

Aktakuzë kundër Azem Sylës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar dy aktakuza në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku bën pjesë ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Në aktakuzën e parë akuzohen 22 të pandehur, ku janë renditur 46 pika të akuzës për vepra penale duke përfshirë ‘krim të organizuar’, ‘pastrim i parave’, ‘marrje të mitos’, ‘mashtrim i rëndë’, ‘mashtrim në detyrë’, ‘nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme’, ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare’, ‘legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar’ dhe ‘evazion fiskal’.

Në aktakuzën e dytë akuzohen 17 të pandehur për ‘Pastrim të parave’.

“Ky rast ka të bëjë me një grup të organizuar kriminal të strukturuar, me hierarki të organizuar dhe afatgjatë, i cili ia ka privuar Kosovës pronat shoqërore. Ky grup i organizuar kriminal, aktiv prej vitit 2006, ishte i përbërë nga shqiptarë të Kosovës dhe anëtarë serbë”, të cilin e udhëhiqte ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Sipas prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

“Palët e dëmtuara janë buxheti shtetëror i Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës të drejtat e të cilëve mbi parcelat e tokës ishin keqpërdorë nga ky grup i organizuar kriminal”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

“Gjatë këtyre hetimeve, në fund të muajit prill 2016 është realizuar një operacion në kuadër të së cilit u bënë arrestime, bastisje dhe konfiskime të pasurisë. Udhëheqësi i pretenduar i këtij grupi, A.S., ish-deputet, ishte arrestuar më 29 prill 2016 dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, njësoj si edhe dy të pandehur të tjerë. Tre të pandehur të tjerë aktualisht janë duke i vuajtur dënimet me burgim për shkak të veprimtarive kriminale të mëparshme”, vazhdon komunikata.

Prokuroria thotë se, një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës në fjalë janë konfiskuar përkohësisht në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe tani janë duke u menaxhuar nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AMPSK).

Këto hetime, sipas prokurorisë, kanë përfshirë edhe një bashkëpunim efektiv me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd.

“Pas këtyre veprave penale kanë pasuar veprimtaritë për pastrimin e parave nëpërmjet bartjes së pronësisë së parcelave të tokës, për ta fshehur origjinën kriminale të këtyre parcelave, si dhe me anë të transaksioneve financiare”, përfundon komunikata./Insajderi.com

Azem Syla e Vidosav Novakoviq shpronësuan toka në vlerë milionëshe