Aktakuzë kundër 20 policëve për korrupsion

Aktakuzë kundër 20 policëve për korrupsion

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër njëzet të pandehurve, që të gjithë zyrtarë policorë për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës Sh.D., S.V., N.R., A.R., M.B., I.D., I.A., A.E., B.Z., B.Z., Q.B., A.G., A.R., S.N., Sh.G., Sh.Z., A.K., L.G., Sh.Z. dhe N.Z., në cilësi të personave zyrtarë duke vepruar në kuadër të autorizimeve zyrtare, kanë kërkuar dhe pranuar dhurata për vete “në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare”.

“Të pandehurit, zyrtarë policorë në Njësinë e kontrollit të autostradave, pjesë e patrullës policore në kontrollimin e trafikut në autostradën “Ibrahim Rugova”, me qëllim nuk kanë shqiptuar tiketa të trafikut ndaj kundërvajtësve edhe pse kanë qenë të obliguar të shqiptojnë tiketa në bazë të ligjit për sigurimin e komunikacionit rrugorë, ndërsa, paratë e marra i kanë ndarë në mënyrë proporcionale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë. /Insajderi.com