Aksion për kapjen e vrasësve të pasluftës në Kosovë

Aksion për kapjen e vrasësve të pasluftës në Kosovë

Një aksion i madh policor është zhvilluar të mërkurën lidhur me vrasjet e pasluftës në Kosovë. Krime të ndryshme me motive politike kanë qenë cak i kësaj bastisjeje.

Mbi 135 policë të Kosovës dhe EULEX-it kanë bastisur shtëpinë e njërit prej kriminelëve të përfshirë në krime të ndryshme në Kosovë, përfshirë vrasje, kidnapime, haraç etj.

Shtëpia e familjes së të vrarit Agron Sylejmani në një fshat të Podujevës ka qenë cak i bastisjeve. Sylejmani është vrarë 13 vjet më parë në një aksion të cilësuar terrorist kundër një patrulle të policisë.

Policia kishte arrestuar disa persona për këtë akt, por vetëm njëri prej tyre është dënuar më 30 vjet burgim. Shkumbin Mehmeti, është i dënuari i vetëm që tashmë ka statusin e dëshmitarit bashkëpunues.

Në këtë sulm ishin vrarë policët Arsim Rrustolli dhe Kujo Osoman nga Gana e Afrikës që punonte në kuadër të Policisë së UNMIK-ut.

Hetimet për këto krime bazuar në dëshmitë e Mehmetit kanë nisur në vitin 2014. Si rezultat i tyre qenë arrestuar Florim Ejupi dhe Bajram Kiqmari. Por, ata ishin liruar me vendim të Gjykatës. Ndërkohë, Ejupi ishte arratisur jashtë vendit.

Ejupi dhe Kiçmari qenë arrestuar tri vjet më parë si të dyshuar për implikimin në një sulm të armatosur që ishte cilësuar fillimisht terrorist për shkak të përmasave të krimit.

Sot, më 5 korrik 2017, është zhvilluar një operacion kërkimi dhe arrestimi si pjesë e hetimeve penale në vazhdim nga PSRK, ku janë ekzekutuar urdhra të dhënë nga një gjyqtar i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Operacioni është kryer nga Policia e EULEX-it dhe Policia e Kosovës.

Prokuroria e Shtetit ka treguar për aksionin. Ka thënë se dy persona janë arrestuar me urdhër të gjykatësit, ndërsa dy persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për posedim të paligjshëm të armëve. Një person tjetër pritet të ekstradohet nga një shtet i jashtëm dhe të arrestohet gjatë ditës në lidhje me të njëjtin rast.

“Rreth 35 zyrtarë policorë ndërkombëtarë dhe 100 zyrtarë policorë nga Kosova bënë kërkime në lokacione të ndryshme në lidhje me shtatë të dyshuar pjesë e hetimeve penale në vazhdim e sipër”, ka thënë Prokuroria.

Sipas Prokurorisë këto hetime kanë të bëjnë me vrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të UNMIK-ut dhe me tentimvrasjen e rëndë të dy zyrtarëve të tjerë të UNMIK-ut në vitin 2004.

Rasti është duke u hetuar dhe bashkërenduar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Urdhrat për arrestimet dhe kërkimet janë dhënë nga një gjyqtar i Kosovës për procedurë paraprake.