Aksident i rëndë në Gjermani, tre fëmijë shqiptarë goditën nga një veturë

11.09.2016 21:24

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ruhpolding të Gjermanisë. Mësohet se një vozitës 64-vjeçar ka shkelur tre prej pesë fëmijëve të cilët po kalonin rrugën.

Aksident i rëndë në Gjermani, tre fëmijë shqiptarë goditën nga një veturë

Siç mësohet nga mediat e ndryshme gjermane, të gjithë fëmijët ishin shqiptarë, shkruan albinfo.ch.

Raportimet e fundit kanë treguar se tre fëmijët janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa dy tjerët që i shpëtuan aksidentit trajtohen nga psikologët për shkak të shokut të përjetuar.

Sipas Kryqit të Kuq bavarez, që të pesë fëmijët janë dërguar në spitalet më të afërt, ndërsa për shkak të pamjeve të rënda, në vendngjarje ka dalur edhe ekipi i intervenimit të shpejtë në rast të krizës.

Vozitësi 64-vjeçar nga Ruhpoldingi nuk ka mundur ta parandalojë aksidentin. Ai gjithashtu ka përjetuar një shok, ndërsa nuk ka pësuar lëndime. Nga pesë fëmijët, dy vajza kanë përjetuar lëndime të rënda dhe me helikopter janë dërguar në Klinikën Traunstein, ku është shtruar edhe një vajzë tjetër, për shkak të shokut që kishte përjetuar.

Në vendngjarje kanë dalë edhe prindërit e fëmijëve të cilët gjithashtu janë marrë nën përkujdesje të ekipit të intervenimit të shpejtë.

Që të pesë fëmijët janë nga Shqipëria dhe farefis në mes vete, ndërsa tashmë që një kohë të gjatë janë duke jetuar në Gjermani./albinfo.ch/