AKR e interesuar për vazhdim të bisedimeve me PAN-in

30.08.2017 20:24
AKR e interesuar për vazhdim të bisedimeve me PAN-in

Aleanca Kosova e Re është e zhgënjyer që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk po i afrojnë qëndrimet, për t’i hapur rrugën një bashkëpunimi të mundshëm për qeverisjen e vendit.

Kështu ka thënë nënkryetari i AKR’së, Fatmir Matoshi, në një intervistë në RTV Dukagjini.

Duke folur për zgjidhjen e bllokadës aktuale politike në vend, Matoshi ka thënë se LDK, partnere koalicioni e AKR’së së Behgjet Pacollit, mund t’i bashkohet koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Ai po ashtu nuk e ka mohuar mundësinë që vetë AKR të bëhet me koalicionin PAN, për të formuar institucionet e vendit, shkruan Gazeta Express.

Matoshi ka thënë se PAN dhe AKR duhet të vazhdojnë bisedimet, në përpjekje për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi.

“Pse të mos diskutojmë me PAN’in?”, është shprehur Matoshi.

“Jemi në një situatë kur vendi është i bllokuar. Përfundimisht duhet t’i jepet një zgjidhje vendit”, ka thënë ai. /Express/