AKP-ja merr nën administrim Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve

29.02.2016 17:53
AKP-ja merr nën administrim Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve

Pallati i Rinisë dhe i Sporteve në Prishtinë tani e tutje do të jetë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ky vendim u mor të hënën nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së, në mbledhjen e 72-të të Agjencisë.

Në komunikatën e lëshuar për shtyp, thuhet se Bordi ka vendosur ta ndërmarr këtë veprim me qëllim që të menaxhojë në mënyrë sa më të mirë Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

“Bordi diskutoi edhe për ndërmarrjen “Pallati i Rinisë” nën administrimin e AKP-së dhe duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në këtë ndërmarrje në raport me palët paditëse dhe çështje tjera, dhe me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të saj vendosi për futjen e kësaj ndërmarrje nën administrim direkt nga Agjencia”, thuhet në komunikatën e AKP-së.

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për ndërmarrjen “Trepça”, për të cilën thuhet se po vazhdojnë planet për proceset e ristrukturimit të ndërmarrjes.