Akademiku me qëndrim ‘pro’ demarkacionit i prinë Komisionit për matjen e territorit

Akademik Hivzi Islami është zgjedhë sot në cilësinë e kryesuesit të Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës. Në fakt qëndrimi i tij tashmë dihet – ai nuk e ka kundërshtuar versionin aktual të demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Madje ai kishte polemizuar me ekspertët të cilët vlerësonin se me këtë marrëveshje Kosova humbë mbi 8 mijë hektarë tokë.

Akademiku me qëndrim ‘pro’ demarkacionit i prinë Komisionit për matjen e territorit

Hivzi Islami është kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK). Ekspertët e gjeografisë thonë se zgjedhja e tij si kryesues i Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, po bëhet nga Qeveria që t’i mbështesë qëndrimet dhe vlerësimet e mëhershme të Komisionit shtetëror rreth përcaktimit të kufirit me Malin e Zi.

Komisioni shtetëror i themeluar kohë me parë, i kryesuar nga Murat Meha, kishte thënë se demarkacioni me Malin e Zi është në rregull, duke mohuar zërat se Kosova humbë territor.

Kurse akademik Hivzi Islami, pas një kohe të gjatë diskutimesh e përplasjesh politike për demarkacionin, kishte vendosur ta thyejë heshtjen.

Ai kishte vendosur të ballafaqohet me njohësit e kësaj fushe – Shpejtim Bulliqin, i cili është deputet i LDK-së; dhe Florin Isufin, i cili bashkë me Bulliqin janë profesor të gjeografisë në Universitetin e Prishtinës.

“Florim ISUFI dhe Shpejtim BULLIQI, ish-studentët e mi, më vonë dhe bashkëpunëtorë e kolegë, nuk i dija për ekspertë për kufij, me njohuri teorike, nuk kisha parë të ishin marrë me këto çështje dhe të kishin zhvilluar hulumtime në zonat kontestuese në terren”, kishte shkruan ndër tjera akademik Hivzi Islami në një shkrim të tij.

Madje ata i kishte quajtur edhe diletantë dhe me propagandë politike.

“Edhe më joprofesional dhe tërësisht politik-propagandistik ishte raporti i të ashtuquajturve ekspertë të kufirit. Dy diletantë, imbecilë, ish-studentë të mi, Sh. Bulliqi dhe F. Isufi tregonin harta ‘si letra pa vlerë’ në distancë nga dhjetëra metra, që askush nuk mund të shihte gjë, duke thënë se kishin aq shumë harta sa kishin marrë edhe në qesim! Por për qasjet dilatenteske të këtyre dyve do të flasim më vonë”, ka shkruar Isalmi.

Bulliqi: Komisioni u formua për konsum politik

Profesori universitar i gjeografisë, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpejtim Bulliqi, i ka thënë Gazetës Insajderi se formimi i Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, është bërë për konsum politik.

Pritjet e Bullqit kanë qenë shumë më të mëdha, duke besuar në formimin e një komisioni të pavarur për këtë çështje. Por ai ka thënë se, vetë fakti se në atë komision bëjnë pjesë disa njerëz, qëndrime e të cilëve dihen publikisht, atëherë ai dyshon në punën profesionale dhe të pavarur të komisionit.

“Kam pritur se do të formohet një komision i pavarur për këtë punë, por kur i pash disa anëtarë që ishin aty, thjesht nuk besoj në atë komision”, ka thënë Bulliqi për Insajderin.

Sipas tij, ky komision është themeluar për konsum politik, në mënyrë që Qeveria t’i mbështesë edhe më shumë qëndrimet e Komisionit shtetëror të mëhershëm.

“Komisioni është themeluar nga Qeveria për t’i forcuar qëndrimet e veta të komisionit shtetëror që ka qenë më herët. Komisioni është thjesht për konsum politik”, ka shtuar ai./Insajderi.com