Akademik Kraja sulmon “brezin e ri” të myslimanëve të Kosovës

Akademik Kraja sulmon “brezin e ri” të myslimanëve të Kosovës

Akademik Mehmet Kraja ka publikuar të premten një shkrim të gjatë përmes të cilit ka kritikuar “atmosferën e imponuar fetare” në Kosovë dhe tendencën që feja islame të bëhet një “fe ideologjike” dhe fe përfituese me qëllim për t’u faktorizuar politikisht.

I nxitur nga urimet që ka pranuar në llogarinë e tij në Facebook për festën e Bajramit – siç e përshkruan ai urime me fjalë arabe dhe me fotografi të bakllavas nga “Myslimanët e Facebook-ut” –  akademik Kraja thotë se ka ardhur koha të bisedohet hapur sepse “mjaft jemi fshehur nga njëri tjetri,” duke iu referuar kështu “myslimanëve të Facebook-ut” dhe besimtarëve të tjerë që dëshirojnë shtetin sekular.

Vetë Kraja thotë se i përket një shumice në Kosovë, që siç thotë ai janë sekular, që nuk e shajnë fenë dhe zotin e askujt, por shprehen me respekt për besimin e gjithë secilit.

“Madje, mos t’ju vijë keq nëse ju them se ne përbëjmë shumicën. Vetëm se, duke na bërë të zmbrapsemi, të tërhiqemi, të manifestojmë tolerancë dhe indiferentizëm, për të mos e çuar këtë Kosovë të shumëvuajtur në armiqësi të reja, për shkak të agresivitetit, për shkak të militantizmit, për shkak të radikalizmit, sekush ka krijuar idenë e gabuar se ju jeni shumicë në këtë vend”, ka shkruar ai.

Në anën tjetër të medaljes, ai ka vendosur “brezin e ri të besimtarëve”, myslimanëve të Facebook-ut.

“Ju e nxorët fenë nga besimi, nga nevoja shpirtërore për të gjetur prehjen e amshuar, nga kërkimi i të lartësuarës dhe e kthyet në ideologji, në një korpus idesh pragmatike. Feja u bë ideologji dhe ideologjia nuk shërben për qëllime të lartësuara, për asgjë hyjnore, por për përfitime tokësore: në radhë të parë për rekrutim bashkëmendimtarësh për të arritur një qëllim”, shkruan akademiku.

“Ju që jeni të rinj mbase nuk e dini, por ne më të moshuarit nuk e kemi harruar sesi ky vend, në të shkuarën jo aq të largët, u bë pre e një ideologjie; sesi një numër jo i vogël burrash dhe grash ia falën djallit jo vetëm shpirtin, por edhe kombin, idealet, çdo gjë, madje edhe fenë, për pragmatizmin më të shëmtuar që ka parë kjo botë”.

Brezi i ri i myslimavëe, sipas Krajës, besojnë ndër të tjerash se shqiptarët nuk u konvertuan me dhunë në islam, se madje një numër syresh e përqafuan islamin edhe para pushtimit osman, nëpër rrugë të ndryshme, duke njohur dhe provuar superioritetin e kësaj feje.

“Se duke u konvertuar në islam, shqiptarët në përgjithësi, por shqiptarët e Kosovës në mënyrë të veçantë, përveç që njohën vlera të një civilizimi të ri, ruajtën identitetin e tyre, pra i shpëtuan sllavizmit; se Skënderbeu nuk është hero kombëtar i të gjithë shqiptarëve, sepse ai luftoi për krishterimin dhe se luftërat e tij e dëmtuan pariparueshëm përparësinë numerike të shqiptarëve në Ballkan”, shkruan ai.

Andaj, duke u bazuar në këto mendime të historisë, ai ka kërkuar nga “Myslimanët e Facebook-ut” të tregojnë se kah po e çojnë Kosovën.

“Në Lindje a Perëndim”, pyet akademiku.

“Këtë ende nuk e keni thënë haptas. Por unë e di, ta zëmë, se çfarë mendoni për historinë dhe duke e ditur çfarë mendoni për historinë, nuk është vështirë të nxirret edhe projeksioni i të ardhmes”, shkruan ai.

Por, sipas akademikut, Kosova asnjëherë nuk do të bëhet një shtet islamik, pasi që një gjë të tillë e kundërshtojnë shumica e popullit, “sot dhe për tërë jetën.”

Për më tepër, sipas tij, Kosova por edhe Shqipëria, janë krijuar si shtete me bekimin e fuqive perëndimore dhe jo perandoria osmane.

Akademik Kraja shkruan po ashtu se një komunitet i tërë besimtarësh ka rënë pre e politikanëve të korruptuar.

“Nëse mendoni se mund të nxirrni ndonjë përfitim nga flirti me politikanët, e keni gabim. E patë si ju gënjyen për fenë në shkolla? Ju pandehet se e fituat një betejë, se mësimi fetar u fut në edukimin shkollor. Dhe çfarë doli? Më keq se një tullumbace, që mund të tërhiqte vëmendjen nga demarkacioni, ishte një ndërrim tezash: nuk bëhej fjalë për mësimin fetar, as mësimin e fesë, por për mësimin për fenë. Nëse puna e demarkacionit ashpërsohet edhe më, në horizont mund të shfaqet edhe ndonjë gënjeshtër tjetër, që do të përpiqet t’ju implikojë edhe juve”./Insajderi.com