Akademik Kraja kundër instalacionit me lopë në Galeri: Buxheti i varfër i shtetit për bagla të lopëve

Akademik Kraja kundër instalacionit me lopë në Galeri: Buxheti i varfër i shtetit për bagla të lopëve

Një instilacion i artistit Sislej Xhafa i vendosur në oborr të Galerisë Kombëtare të Kosovës, ku 8 lopë janë ngujuar në një ahur që është vendosur në oborrin e Galerisë, përpos që ka indinjuar aktivistët për të drejtat e kafshëve, ka ngjallur edhe reagimin e akademik Mehmet Krajës, i cili në një shkrim autorial të tijin, e ka cilësuar këtë vepër si një fyerje për institucionin e Galerisë.

Sipas shkrimtarit të njohur Mehmet Kraja, vepra e Xhafës “8 lopë Kosove” që është si instilacion i ekspozitës “Të dua pa e ditur”, është një gërryerje e buxhetit të varfër të Kosovës.

“Të gjithë u duken të lumtur për këtë sadomazohizëm politik dhe kulturor të paparë, një pjesë e komunitetit artistik, mediet, të gjithë, pa çka se është pikërisht ky komunitet artistik dhe kulturor që e di mirë, se këta biçim artistësh, të cilët, pasi iu ka skaduar afati, pasi kanë humbur terren dhe substancë, edhe kreativitet natyrisht, iu kanë vërsulur tani atyre dy metelikëve të buxhetit të varfër të kulturës në Kosovë, duke ua marrë bukën e gojës atyre që artin nuk e mendojnë, nuk e ëndërrojnë dhe as e perceptojnë si bagël e qelbur e lopës, as si bythë plastike në Galerinë e Arteve të Kosovës”, ka shkruar Kraja në shkrimin e tij me titull “Rikthimi i kohëve të errëta”.

Rikthimi i kohëve të errëta

E krejt kjo ekspozitë e Sislej Xhafës shtetit i ka kushtuar afro 40 mijë euro. Sipas Ministrisë së Kulturës, buxheti nga Galeria Kombëtare e Kosovës që funksionon brenda MKRS-së për këtë ekspozitë ka qenë 28 mijë e 583 euro. Ambasada Amerikane në Kosovë ka përkrahur këtë ekspozitë me 4 mijë e 373 euro për honorarin, udhëtimin dhe akomodimin e artistit dhe kuratorit. Sislej Xhafa, sipas MKRS-së, ka marrë 2 mijë euro ndërsa kuratori 5 mijë euro. Ekspozita është përkrahur edhe nga Komuna e Prishtinës me 5 mijë euro.

“Buxheti gjithëpërfshirës për ekspozitën është 37.957.04 euro”, kanë thënë nga Zyra për Media e MKRS-së.

8 lopë Kosove të mbyllura për 1 muaj në emër të artit, plus 40 mijë euro shpenzime nga shteti

“8 lopë Kosove” titullohet vepra e tij, e cila është e vendosur në oborrin e Galerisë së Arteve të Kosovës. Aty është ndërtuar një ahur në të cilën qëndrojnë 8 lopë të mbyllura, teksa ato mund të shihen vetëm nga brenda Galerisë, ku është thyer muri për të krijuar një dritare. E krejt kjo ekspozitë e Sislej Xhafës shtetit i ka kushtuar afro 40 mijë euro.Lexo tekstit me detaje: https://goo.gl/Bqbtt7

Posted by Insajderi on Thursday, 19 July 2018

E akademik Kraja ka bërë disa pyetje për artistin Sislej Xhafa.

“Unë nuk e di pse këta artistë kontemporanë nuk i realizojnë këto ide atje ku kanë zgjedhur ta bëjnë jetën e tyre. Pse këta artistë kontemporanë, ta zëmë, nuk i vënë Statujës së Lirisë në Nju-Jork, rreth kokës dhe rreth qafës, një çallmë nja njëqind metër të gjatë të Bin Ladenit? Ose, pse nuk e improvizojnë një mur betoni nja 20 metër të gjatë, me tel me gjemba sipër, në sallën e madhe të Kongresit Amerikan, mbi atë qilimin e kaltër, aty pranë foltores, duke i vendosur rrëzë atij muri 10-15 fëmijë meksikanë të leckosur, tek hanë përshesh me lugë druri nga ca govata plastike? Përse, pra, para Muzeut të Holokaustit, po në Nju-Jork, këta artistët tanë kontemporanë nuk vendosin një statujë të Adolf Hitlerit të veshur si rabin hebre? Këto janë ide që tronditin botën, dhe jo ca bagla lopësh në Galerinë e Arteve të Kosovës. Të gjithë e dinë se idetë e këtilla, të shkalluara e të lajthitura gjithsesi, kanë një problem të madh: nuk gjejnë dot një vend të çmendur për t’i realizuar ato”, ka shkruar Kraja në tekstin e tij.

Përtej vlerës artistike të kësaj vepre/instilacioni i cili nuk është sqaruar as nga vetë artistit Xhafa, përdorimi i lopëve për një vepër artistike, duke i mbajtur ato të mbyllura për një muaj sa do të qëndrojë e hapur ekspozita, ka nervozuar aktivistë për të drejtat e kafshëve.

Në grupin “Të bashkuar për kafshët”  në rrjetin social “Facebook”, dhjetëra komente janë bërë kundër mbajtjes mbyllur të lopëve.

8 lopë Kosove të mbyllura për 1 muaj në emër të artit, plus 40 mijë euro shpenzime nga shteti