Ahtisaari ka një plan për krizën e Katalonisë

05.11.2017 10:04
Ahtisaari ka një plan për krizën e Katalonisë

Kriza në Spanjë ka tërhequr vëmendjen e negociatorit finlandez Martti Ahtisaari, i cili ndërmjetësoi në zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Siç thuhet, Ahtisaari në Këshillin Nordik në Helsinki tha se katalonasit “kanë bërë një marrëzi “, kur shpallën njëanshëm pavarësinë, por edhe spanjollët reaguan tepër ashpër.

Ai i kërkoi Madridit që ta lejojë udhëheqësin e shkarkuar katalanas Carles Puigdemont të kthehet dhe të merr pjesë në zgjedhje, shkruan gazeta serbe “Politika”.

“Duhet ndërmjetësim. Unë nuk e di nëse mund të kyçen BE apo OKB, por nuk duhet të lejojmë që situata të dalë nga kontrolli”, ka thënë Ahtisaari.

Ahtisaari ishte president i Finlandës dhe ndërmjetës i Kombeve të Bashkuara. Ai fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2008, “për angazhimin prej disa dekadash në ndërmjetësimin, vendosjen e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve në disa kontinente”.

Madridi zyrtar ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur thirrjet e zyrtarëve katalonas për ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ose një vendi tjetër, duke potencuar  se kriza katalonase është një problem i brendshëm i Spanjës./telegrafi/