Hapësirat e parkingut mbeten një prej çështjeve që preokupojnë qytetarin e Prishtinës. Ashtu si edhe qytetet e" />

Ahmeti tregon kur funksionalizohet “Prishtina Parking”

Ahmeti tregon kur funksionalizohet “Prishtina Parking”

Hapësirat e parkingut mbeten një prej çështjeve që preokupojnë qytetarin e Prishtinës. Ashtu si edhe qytetet e tjera, edhe Prishtina zgjidhjen e sheh në menaxhimin e kërkesës për parking, dhe rritjen e hapësirave.

Në vitin 2016 Prishtina ka arritur të krijojë Ndërmarrjen Publike Prishtina Parking. Edhe pse të gjitha përgatitjet janë përfunduar, problemet në Kuvendin Komunal kanë pamundësuar fillimin e punës.

Kryetari Shpend Ahmeti është zotuar se qysh në mbledhjen e parë të Kuvendin Komunal në mandatin e dytë, do të caktohen aksionarët e Ndërmarrjen Publike Parking Prishtina, të cilët më pas do ta përzgjedhin bordin e Ndërmarrjes.

Tani që ka përfunduar Plani i Mobilitetit, puna e Ndërmarrjes do të jetë shumë me e lehtë dhe efikase. Qysh në janar të vitit 2018, do të funksionalizohet kjo Ndërmarrje, që përveç se do ta mirëmbajë veten, do t’i sjellë të hyra shtesë Komunës së Prishtinës.

“Në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës do të përfundohet projekti i identifikimit, shënjimit të çdo parkingu publik në Komunën e Prishtinës sipas zonave. Qyteti do të ndahet në disa zona: Zona I e cila do të jetë qendra, Zona II lagjet e rëndësishme që nuk janë në qendër, dhe Zona III që konsiderohet si periferi e Prishtinës. Në çdo zonë parkingu publik do të paguhet, por banorët e lagjes do të kenë preferenca edhe në çmim edhe në gjatësinë e qëndrimit në parkingjet publike. Pagesat do të jenë ose mujore ose përmes operatorit mobil”, thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës.

Me implementimin e zonave dhe kufizimin e kohës së vizitorëve në lagje pritet që të rregullohet situata në shumicën e lagjeve. Mirëpo, në lagjet ku ka fluks të madh, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me banorët do të shikojë mundësinë e kufizimit të parkingut për vizitorë, mirëpo do të menaxhohet nga Prishtina Parking.

Parkingjet statike që janë pronë e Komunës së Prishtinës do të jetë prioritet i vazhdueshëm i Komunës së Prishtinës në mandatin në vijim. Parkingu nëntokësor i madh tek Fakulteti Filologjik është përfunduar si projekt-propozim. Në fillim të vitit 2018 do të del si shpallje, dhe puna do të fillojë në po të njëjtin vit. Ky parking do të ketë së paku 500 vendparkime.

Vitin tjetër, Komuna e Prishtinës do të hartojë rregulloren për parkingjet private duke përcaktuar kushtet se ku mund të hapen parkingjet, politikat e tarifave dhe kushtet e tjera që duhet të parashihen me këtë rregullore.

Të gjitha parkingjet që janë në pronë publike e që menaxhohen nga kompani private apo shoqata të ndryshme do të kalojnë në menaxhim të Komunës së Prishtinës apo Prishtina Parking.