Ahmeti thumbon PDK-në për aksionin ironizues në sheshin “Zahir Pajaziti”

18.08.2017 22:19
Ahmeti thumbon PDK-në për aksionin ironizues në sheshin “Zahir Pajaziti”

Të enjtën, pas një shiu vërshues që ra në Prishtinë, Rinia Demokratike e Prishtinës ironizoi me kryetarin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti. Ata thanë se sheshit ‘Zahir Pajaziti’ të mbushur me ujë, “po i mungon vetëm Shpend Ahmeti me një jaht”.

Pjesëtarë të rinisë së PDK-së në Prishtinë, në shenjë ironizuese, kishin marrë me vete edhe mjetet e peshkimit në sheshin ‘Zahir Pajaziti’.

“Prishtina nuk ka lum për të peshkuar, por nuk ka as kryetar, i cili di të kujdeset për qytetin tonë. Përkundër këtyre, siç edhe po e shihni, tash në rrugët e Prishtinës është krijuar një lum, të cilit po i mungon vetëm edhe jahti dhe Shpend Ahmeti në të”, thanë të enjtën pjesëtarë të Rinisë Demokratike të Prishtinës.

E Ahmeti, i cili të enjtën kishte udhëtuar për në Milano të Italisë, i është kundërpërgjigjur kritikave një ditë më vonë përmes një postimi në Twitter.

Ai ka publikuar një foto të vërshimeve që kishin ndodhur në Londër, duke thënë: “Peshkim në Londër. A jeni për?”.

Uji që mbushi sheshin e Prishtinës të enjtën është larguar nga punonjësit e kompanive të kontraktuara nga komuna. /Insajderi.com