Ahmeti: Nuk ka punë më të ndershme se t’i largosh hajnat nga pushteti

Ahmeti: Nuk ka punë më të ndershme se t’i largosh hajnat nga pushteti

Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje, në Magazinën Zgjedhore të Klan Kosovës, ka thënë se nuk është e pandershme kandidatura e tij për deputet, pasi që sipas tij nuk ka të mirë më të madhe sesa të largohen “hajnat nga pushteti”.

“Nuk ka punë më të ndershme se t’i largosh hajnat nga pushteti. Do të jetë detyrë e imja që ata t’i largoj nga pushteti. Unë besoj se ata që më japin votë mua, ia japin edhe Vetëvendosjes. Unë jam pjesë e saj”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka deklaruar se është duke e ushtruar edhe pozitën e kryetarit të Prishtinës, siç ka bërë para se të bëhej pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për deputet.

“Është me rëndësi që sot të potencohet nevoja për ndryshim në nivel qendror, si problem kryesor i vendit. Në komunë ne kemi arritur të përmbushim njëmbëdhjetë nga dymbëdhjetë premtimet tona, me të gjitha vështirësitë nga niveli qendror”, ka thënë ai.

Ahmeti nuk ka mohuar mundësinë e një koalicioni pas zgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Koalicionet janë të mundshme vetëm kur pranohet programi ynë. Ne kemi bashkëpunuar edhe me AAK-në edhe me NISMA-n për të kundërshtuar Asociacionin dhe Demarkacionin. Por jo në të tjera gjëra. Ndoshta me atë rast e kemi pastruar dikë nga krimet që i ka bërë në të kaluarën, por në asnjë moment nuk i biem pishman për bashkëpunimin tonë”, ka thënë Ahmeti./Insajderi.com