Ahmeti merret me Mogherinin – bora pamundëson lëvizjen e lirë midis kryeqytetit

Ahmeti merret me Mogherinin – bora pamundëson lëvizjen e lirë midis kryeqytetit

Temperaturat e ulëta të javës së kaluar thuajse e kanë pamundësuar lëvizjen edhe ashtu të vështirësuar në disa pjesë të kryeqytetit. Por kjo situatë nuk e ndalon kryetarin Shpend Ahmeti që të merret me punë për të cilat prishtinasit nuk e kanë votuar.

Të mërkurën rreth orës 14, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ngriti një shqetësim lidhur me një deklaratë të Përfaqësues së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, e cila e lavdëroi kryeministrin serb për maturi gjatë trajtimit të çështjes së trenit ilegal.

“Ai [Vuçiqi] e dërgon trenin në të cilin shkruhej në 21 gjuhë se Kosova është Serbi, pa leje të autoriteteve në Kosovë. Pastaj ai e ndalon trenin, dhe lavdërohet për lidershipin e treguar?? Çfarë mesazhi po i dërgon Mogherini të gjitha vendeve të Ballkanit,” ka pyetur në gjuhën angleze Ahmeti përmes llogarisë së tij në Facebook.

Vetëm një orë para reagimit për deklaratën e Mogherinit, ai ka shkruar edhe lidhur me rastin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.

Shpende2

Por, gjatë kohës sa Ahmeti ka qenë duke u marrë me këtë çështje, një qytetar me nevoja të veçanta është përballur me një problem, që lidhet direkt me përgjegjësitë e Komunës së Prishtinë të drejtuar nga Ahmeti.

Një lexues i ka dërguar disa fotografi tek Insajderi, ku shihet qytetari teksa ndihmohej nga dy zyrtarë policor të vazhdojë rrugën e tij. Rasti ka ndodhur afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, tek shkallët që dërgojnë tek sheshi Ibrahim Rugova.

Ai e ka pasur të pamundur që një gjë të tillë ta bëjë vetë, për shkak të borës që ende nuk është pastruar në atë pjesë.

Siç shihet edhe në fotografinë e mëposhtme, edhe shkallët në atë lokacion janë vështirë të kalueshme.

shshshshsh5555

Kosova është përballur me temperatura të ulëta gjatë javës së kaluar, me reshje të borës që kanë arritur deri në afër një metër. Për këtë arsye, Komuna e Prishtinës kishte shpallur edhe gjendje emergjente.

Por, edhe pse temperaturat janë përmirësuar dhe nuk ka pasur reshje bore, trotuaret dhe shumë pjesë në kryeqytet vazhdojnë të jenë vështirë të kalueshme.

Kryetari Ahmeti jo rrallë është angazhuar për çështje të cilat nuk obligohet me përgjegjësitë që i takojnë si kryetar i komunës. Për këtë arsye, partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës e kanë kritikuar atë në një numër rastesh për një gjë të tillë.

Zemërim të veçantë kishte ngjallur fakti se ai por edhe udhëheqës të tjerë të lartë të komunës, kanë marrë pjesë në protestat e partisë së tyre, Vetëvendosjes, edhe në ato raste kur kanë eskaluar në dhunë, dhe janë dëmtuar edhe objekte publike e private në kryeqytet.

Ahmeti në pozitën e të parit të kryeqytetit ka zëvendësuar Isa Mustafën, kryeministrin aktual të Kosovës, i cili si lider i partisë së dytë më të madhe në vend, LDK, ishte detyruar që jo rrallë të ndajë një pjesë të orarit të tij për t’u marrë më çështje më madhore të vendit./Insajderi.com