Ahmeti: Kthim pas nuk ka, të pranohet realiteti

Ahmeti: Kthim pas nuk ka, të pranohet realiteti

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me Zёvendёs/ndihmës sekretarin e shtetit pёr Evropё dhe Euro-Azi Hojt Brajan Ji, në një deklaratë ka thënë që kthim pas nuk mund të ketë dhe në këtë situatë duhet vetëm vetëdijesim dhe stabilitet.

“Republikës së Maqedonisë në këtë situatë më së shumti i duhet stabiliteti, i duhet që proceset të zhvillohen në rrugë të mbarë, i duhet që institucionet të funksionojnë. Sigurisht që kthim pas nuk ka të gjitha këto zhvillime, nëse ne nuk vetëdijesohemi sigurisht që i dobësojmë të gjithë qytetarët e RM-së”, tha ai, shkruan Alsat M.

Pos tjerash ai thekson që duhet të pranohet zgjedhja e kryetarit të parlamentit si një realitet të pakontestueshëm.

“Të pranohet ky realitet i ri, zgjedhja e kryetarit të parlamentit të mbështetet edhe nga to forca që kontestojnë zgjedhjen e zotit Xhaferi si kryetar të Parlamentit, sepse zgjedhja është bë në rrugë ligjore dhe legjitime”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti gjithashtu tha se është në komunikim me VMRO-në sepse janë forca politike të një vendi.

Ndërkohë i pyetur se nëse Veljanoski thërret vazhdimin e seancës, deputetët e BDI-së do të marrin pjesë apo jo, u shpreh i prerë se Veljanoski nuk ka të drejtë morale e as ligjore të thirrë seancë, sepse nuk ka shumicë parlamentare, dhe se duhet të pranoj realitetin se tanimë Talat Xhaferi është kryetar i ri i Kuvendit.