Ahmeti dështoi me biletat e integruara

Ahmeti dështoi me biletat e integruara

Lideri i zgjedhur rishtazi në krye të Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti, që aktualisht po qeverisë me Prishtinën, nuk po arrinë t’i dalë në krye një problemi siç është çështja e autobusëve.

Partia e tij, duke patur 12 deputetë në Kuvendin e Kosovës të votuar nën ombrellën e Lëvizjes Vetëvendosje, nesër do të mbledhë partitë politike për probleme edhe më madhore se çështja e autobusëve lokal.

Do të flitet për dialogun, do të flitet për ushrinë, do të flitet për reformën zgjedhore dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, shkruan Gazeta Alo.

I mbetet se nesërmes, e sot shtrohet shqetësimi i vazhdueshëm i zvarritjes së finalizimit të investimit në Trafikun Urban.

21 autobusë nuk po arrijnë të vijnë në Kosovë, shkaku i telasheve që po i dalin BERZH-it me Komunën e qeverisur nga Shpend Ahmeti.

Për një subvencion prej 800 mijë euro BERZH-i kushtëzoi rregullimin e garazhave për këta autobus.

Punimet e nisura para më shumë se një viti tek tash janë finalizuar. Sipas kontratës fillestare, është dashur të përfundojnë për 60 ditë, ndërsa ato të kontratës shtesë brenda 30 ditësh.

Në mungesë të mbikqyrjes nga Ahmeti, nëpër faza të realizimit të renovimit të garazhave, ndodhë që për më shumë se një vit të zvarritet edhe arrdhja e autobusëve.

Me gjithë këtë, pas përfundimit të punimeve BERZH-i po kushtëzon Komunën të ketë një kontratë konkrete me Trafikun Urban.

Me shumë bujë në shkurt të vitit të kaluar Komuna lëshoi në qarkullim  30 autobusë të kompanisë “Iveco Czech Republic, a.s.”, për Trafikun Urban.

Realizimi i këtij tenderi nuk ka zgjidhur problemin, pasi që Komuna ka në qarkullim edhe autobus privat që funksionojnë larg standardeve nga autobusët e rinj.

Për ta realizuar këtë iniciativë, Komuna Prishtinës në emër të “Trafikut Urban” ka kërkuar hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej mbi 10 milionë euro.

Me marrjen e kredisë nga BERZH-i, në shkurt u vënë në qarkullim fillimisht 25 autobusë dhe më pas edhe pesë të tjerë.

Për një autobus, Komuna e Prishtinës ka paguar rreth 230 mijë euro, dhe 51 autobusët sa do të jenë në total, do të kapin shifrën astronomike prej rreth 12 milionë euro.

Kredia në BERZH prej 10 milionë eurove do t’i mbulojë këto shpenzime, dhe asaj do të fillojë t’i paguhet kredia nga muaji i ardhshëm.

Do të jenë dy këste në vit me mbi 500 mijë euro secila, për dhjetë vjet.

Por, telashet në sigurimin e të ardhurave të Trafikut Urban rrezikojnë përmbushjen me kohë të kontratës me BERZH.

Nëse kompania nuk arrinë ta kthejë sipas kontratës, obligohet Komuna e Prishtinës që ta kthejë.

Marrëveshja për garanci shtetërore, e cila garanton kredinë është nënshkruar edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Deri në përfundimin e kredisë, Prishtina potencialisht do të ndërrojë disa kryetarë. Ahmeti ka futur në borxhe të paktën edhe dy pushtete të ardhshme.

Me ardhjen e Shpend Ahmetit në krye Prishtinës u anuluan të gjitha nismat për blerjen e autobusëve duke zvarritur për pesë vjet të tjera finalizimin e projektit, që për gjithë këto vite Ahmeti nuk dihet të jetë marrë aq shumë me ndonjë fushë tjetër.

Shpendi nuk përmbysi të keqen. U vonua edhe në mësimin e praktikave të keqqeverisjes.

Edhe 50 autobusët janë pak për të përmbushur nevojat e banorëve të kryeqytetit.

Do të paguhen me para të taksapaguesve, por nuk dijnë se si erdhi deri tek kontrata, si u investua dhe si do të shpenzohen paratë.

Edhe sot, po të mos jesh banor i kryeqytetit nuk do të arrishë të kuptosh pa e pyetur dikë, se si të orientohesh në Trafikun Urban deri tek një destinacion i caktuar.

Përkundër ardhjes të këtyre autobusëve, dhe pranisë së dhjetë linjave të transportit publik, ende ka shumë rrugë të kryeqytetit, madje edhe lagje të tëra, nëpër të cilat nuk kanë qarkulluar kurrë autobusët urbanë.

Shpend Ahmeti ende synon të mbështetet për fjalët, ndërkohë nuk shihen veprat.

Ne çdo stacion nuk ka as harta të thjeshta e synohet aplikacion elektronik.

Shpend Ahmeti nuk arriti të menaxhojë drejtë edhe me kompanitë private të trafikut urban, kur lëshoi në qarkullim autobusët e linjës 3b.

Gjatë kësaj kohe u thye edhe një xham i autobusëve të rinjë, por Ahmeti mohoi ta ndërlidhë me kundërshtimet e kompanive private  “Bleri” dhe “Ardhmëria”. Këto dy kompani deri në këtë kohë po mbanin për 14 vjet këtë linjë.

Nuk ka ende bileta të integruara gjithëpërfshirëse dhe të vlejë në të gjitha linjat, dhe që jo detyrimisht do të duhej të lidhej me Planin e Mobilitetit.

Me Planin e Mobilitetit, Ahmeti synon modernizimin e transportit publik, por jo para vitit 2019’të. /Gazeta Alo