AGK dënon sjelljen vandale të biznesmenit ndaj gazetarit Kajtazi

AGK dënon sjelljen vandale të biznesmenit ndaj gazetarit Kajtazi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj dëmtimit të qëllimshëm të veturës së kryeredaktorit të Gazetës Online Insajderi, Vehbi Kajtazi.

Kajtazit iu dëmtua sot vetura nga biznesmeni Armend Malazogu, i cili më pas u arrestua nga Policia e Kosovës.

Përmes një kumtese për medie, AGK ka thënë se e mirëpret hyrjen në fuqi të vendimit të Kryeprokurit të Shtetit Aleksandër Lumezi sa i përket trajtimit me prioritet të rasteve të gazetarëve.

AGK ka bërë të ditur se Prokuroria e Shtetit është duke u marrë me rastin, konfrom vendimit që kjo shoqatë kishte nënshkruar me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, më 9 mars të këtij viti.

“AGK-ja është njoftuar sot për kanosjen që një person i ka bërë kolegut Vehbi Kajtazi duke ja dëmtuar edhe veturën private. AGK ka takuar kolegun në fjalë nga i cili u kërkuan informacione për rastin, ndërkohë qe jemi njoftuar se tashmë Prokuroria është duke vepruar konformim vendimit të nënshkruar nga Kryeprokurori Aleksandër Lumezi me datë 09.03.2017”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“AGK-ja mbetet e përkushtuar në krijimin e një ambienti me të sigurt për të ushtruar profesionin e gazetarit në vendin tonë”, ka deklaruar AGK.

Policia e Kosovës ka arrestuar sot biznesmenin Armend Malazogu, për shkak të dëmtimit të qëllimshëm të veturës së gazetarit Kajtazi.

Arrestimi dhe ndalimi i tij për 48 orë është bërë me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Menduhi Kastratit.

Incidenti ka ndodhur të premten në ora 9 e 30 minuta në rrugën Jonuz Zejnullahu në lagjen Pejton në Prishtinë, pak qaste pasi gazetari Kajtazi e ka parkuar veturën në këtë rrugë. Në momentin e parkimit, ka ardhur Malazogu duke urdhëruar Kajtazin që ta largojë veturën me arsyetimin se po e pengon.

Gazetari Kajtazi ka shpjeguar gjithë ngjarjen para hetuesve dhe prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Menduhi Kastratit dhe Bashkim Zeqajt. Zeqaj së fundi është caktuar me vendim të kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi si koordinator i Prokurorisë për trajtimin e rasteve të kërcënimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve.

“Sapo kam parkuar veturën, një person ka ardhur me veturë të tipit ‘Range Rover’. Ka hapur xhamin dhe më ka thënë që ta largoj veturën sepse po e pengon. I kam thënë se vetura nuk po shkakton asnjë pengesë dhe ka hapësirë të mjaftueshme për të lëvizur”, ka thënë Kajtazi.

Arrestohet biznesmeni Armend Malazogu – dëmtoi veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi

Por, Malazogu ka insistuar ta largojë veturën me arsyetimin se lëviz 10 herë në ditë dhe se parkingjet në lagje u takojnë vetëm banorëve.

Kajtazi i ka thënë se kjo është pronë publike, dhe nëse të pengon vetura thirre Policinë.

Malazogu duke bërtitur ka thënë se do t’i thyej xhamat.

“Tash ta thej kerrin unë”, ka thënë Malazogu. “Hajde këqyre qysh ta thej kerrin”, ka vazhduar më zë të lartë ai, për ta goditur veturën e Kajtazit me pjesën e prapme të veturës së tij.

“Kur e ka goditur veturën time me veturën e tij, e ka futur në oborr dhe ka dalë duke thënë “tash thirre ti Policinë”, ka treguar Kajtazi.

Ai ka njoftuar Policinë. Në vend të ngjarjes kanë dalë njësitë e nevojshme të cilat kanë shoqëruar për në stacion të Policisë, Kajtazin dhe Malazogun.

Pas intervistimit të tyre, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e të dyshuarit.

Biznesmeni i arrestuar është një prej përfituesve më të mëdhenj të parave publike. Ai është aksionar në kompaninë Cactus. Kjo kompani ka fituar miliona euro nga Qeveria e Kosovës  duke nisur nga  furnizimi me licenca të Microsoft e deri te zhvillimi i një sërë aplikacionesh softuerike. /Insajderi.com