AGK: Dy gazetarë pësuan nga sprej gjatë arrestimit të deputetëve

AGK: Dy gazetarë pësuan nga sprej gjatë arrestimit të deputetëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka njoftuar se dy gazetarë kanë pësuar nga spreji gjatë aksionit për arrestimin e deputetëve të VV-së.

Gazetarja Valdete Berisha si dhe kameramani Safet Hyseni pësuan nga spreji lotsjellës gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes.

“Derisa Policia e Kosovës po kryente aksionin e arrestimit të deputetëve të Vetëvendosjes, të dy gazetarët që ishin duke përcjell këtë ngjarje pësuan nga hedhja e sasisë së madhe të spreit nga ana e policisë”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Kameramani, Hyseni sipas AGK-së është në gjendje të mirë shëndetësore, gazetarja Valdete Berisha ka kërkuar trajtim mjekësor.

“Gjendja e saj është stabile dhe përpos problemeve që i ka shkaktuar spreji ajo nuk ka ndonjë lëndim trupor”, thuhet në njoftim.