AGK dënon kërcënimin me vrasje ndaj ekipit të Insajderit nga drejtori i kompanisë “Euro Ida”

AGK dënon kërcënimin me vrasje ndaj ekipit të Insajderit nga drejtori i kompanisë “Euro Ida”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimin me jetë ndaj ekipit të gazetës online “Insajderi” nga pronari i një kompanie vendore që së fundmi ishte e përfshirë në një skandal me mish të skaduar.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria që ta trajtojnë dhe hetojnë me seriozitet këtë rast, dhe kërcënuesi të sillet para drejtësisë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Kujtojmë se raste të tilla ndaj Gazetës Online Insajder ka pasur edhe në të kaluarën, ku udhëheqësit e këtij mediumi kanë qenë cak i kërcënimeve dhe sulmeve të ndryshme për shkak të shkrimeve hulumtuese”, thuhet më tej në reagim.

AGK ju bënë thirrje institucioneve gjegjëse që t’i trajtojnë me prioritet, rastet e gazetarëve dhe mediumeve të cilët kanë qenë objekt kërcënimeve dhe sulmeve të ndryshme.

Për më tepër, rreth dy javë më parë shpërtheu skandali i mishit në Belgjikë. Gazeta Online Insajderi zbuloi para pesë ditësh emrin e kompanisë kosovare që kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba”.

Bëhej fjalë për kompaninë nga Rahoveci “Euro Ida”, e cila, sipas dokumenteve që Insajderi ka siguruar nga Dogana e Kosovës, kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba” në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Për artikullin e publikuar nga Insajderi, të titulluar: “Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika”, ka reaguar sot drejtori i kompanisë “Euro Ida”, Anton Jupa. Ai ka telefonuar në redaksinë e Gazetës Online Insajderi dhe ka kërcënuar me vrasje ekipin e Insajderit.

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, (nuk kuptohet) s’ka me e myt, vetëm ka me e copëtu me sakicë, ka me coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, ka thënë Jupa, në një telefonatë në redaksinë e gazetës.

Drejtori i kompanisë “Euro Ida” ka pranuar se kishte importuar mish nga kompania belge në vitin 2016, ashtu siç kishte raportuar Insajderi në artikullin e publikuar më 14 mars.

Insajderi kishte siguruar një dokument nga burime brenda Doganës së Kosovës, të cilat dëshmonin se kompania “Euro Ida” kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba”, në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Insajderi nuk kishte konkluduar nëse mishi që kjo kompani ka importuar nga “Veviba” kishte qenë i prishur apo jo.

Rreth dy javë më parë, Agjencia Federale për Sigurimi të Ushqimit (FASFC) në Belgjikë, pas një hetimi që zgjati dy vjet, njoftoi se kompania “Veviba” ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit sikurse edhe me etiketat për afatin e përdorimit.

Agjencia Federale për Siguri të Ushqimit (FASFC) kishte thënë se ka mbyllur fabrikën përpunimit të mishit “Verbist Group” si dhe frigoriferin “VEVIBA” në Bastogne, në Belgjikën jugore, pas rastit të mashtrimit./Insajderi.com