Agjenti i Hysajt: Klienti im kushton 20 milionë euro

Agjenti i futbollistit shqiptar që po shkëlqen në Itali, Elseid Hysajt, ka deklaruar se klienti i tij kushton hiç më pak se 20 milionë euro.

Agjenti i Hysajt: Klienti im kushton 20 milionë euro

Futbollisti nga Shkodra është një ndër shqiptarët më të suksesshëm për momentin në botën e futbollit.

Është  titullar  tek Napoli që është pretendent për titullin kampion në Serinë A.

Hysaj tani mund të konsiderohet edhe si futbollisti më i shtrenjtë në historinë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit, të paktën duke i besuar agjentit të vetë mbrojtësit të Përfaqësueses Kuqezi.

Mario Giuffredi ndërhyri në mikrofonat e “Radio Kiss Kiss” Napoli për të folur për të ardhmen e 22-vjeçarit që u transferua verën e kaluar te të kaltrit bashkë me trajnerin Sarri.

“ Me Hysajn Napoli bëri një operacion të denjë për futbollistët e jashtëzakonshëm. Është anësori më i mirë në Itali në krahun e tij, dhe mund të bëhet ndër më të mirët e Europës. Besoj se tani vlen të paktën katër herë më tepër se sa 5.5 milionë Eurot që Napoli pagoi në verë”, deklaroi Giufreddi.

Duke fiksuar mbi kufirin e 20 milionë Eurove çmimin e kartonit të Hysajt agjenti i tij e shndërron mbrojtësin e djathtë në futbollistin më të shtrenjtë të Kombëtares Shqiptare.

Mbrojtësi është pranë rinovimit të kontratës me Napolin deri më 2020, dhe pritet t’i përmirësohet dukshëm paga në kontratën e re, falë paraqitjeve të mira të treguara.