Agjencia Kadastrale regjistron pronat në emër të Kosovës

24.03.2017 11:53
Agjencia Kadastrale regjistron pronat në emër të Kosovës

Pronave të Kosovës të cilat figuronin në emër të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të ish-Republikës Socialiste të Serbisë, u është ndërruar pronësia.

Agjencia Kadastrale e Kosovës i është përgjigjur kërkesës së Qeverisë, duke i ka regjistruar të gjitha pronat e paluajtshme në emër të Republikës së Kosovës.

“Kjo do të thotë se në Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë, sistem ky i cili administron regjistrat pronësorë zyrtar në Republikën e Kosovës, këto prona figurojnë në pronësi të Republikës së Kosovës”.

“Procesi për kthimin e këtyre pronave kishte filluar në vitin 2015 nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa pas kontrollit dhe identifikimit të këtyre pronave dhe në bashkëpunim mes institucioneve të ndryshme vendore, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka azhurnuar regjistrat pronësorë duke regjistruar si pronar të këtyre pronave Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Qeveria me 1 mars e mori këtë vendim, sipas së cilit “të gjitha pronat e paluajtshme të regjistruara në emër të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, … pa u kufizuar në organet e tyre shtetërore, administrative, ushtarake dhe ish-organizatat shoqërore-politike të regjistrohen në emër të Republikës së Kosovës si pronare e këtyre pronave të paluajtshme”. /Insajderi.com