Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave bën thirrje për kujdes ndaj zjarreve

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave bën thirrje për kujdes ndaj zjarreve

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave e Ministrisë së Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe vigjilent për shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit dhe të lajmërojnë me kohë, si dhe të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve.

“Tashmë kemi hyrë në sezonin e verës që karakterizohet me temperatura të  larta të ajrit, të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore. Për çfarëdo rasti të zjarreve, ju lutem që të thirrni në Qendrën Operative Emergjente, nëpërmjet numrit të integruar emergjent – 112”, thuhet në apel.

Gjithashtu qytetarëve iu bëhet me dije se mund të thërrasin pa pagesë edhe në këta numra: Policinë e Kosovës 192, Njësinë  profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit 193, Ndihmën e shpejtë 194.

Sipas Agjencisë, zjarrvëniet e qëllimta si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia janë vepër penale dhe sanksionohen me ligj.