Agjencia e Akreditimit akuzon kryeministrin se po ndërhynë në punën e tyre

Agjencia e Akreditimit akuzon kryeministrin se po ndërhynë në punën e tyre

Pas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj drejtuar Ministrit të Arsimit për shkarkimin e tetë (8) anëtarëve (6 vendor dhe 2 ndërkombëtarë) të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) të Agjencisë se Kosovës për Akreditim (AKA) dhe ushtrueses së detyrës së Drejtorit të AKA-së, ka ardhur reagimi i kësaj Agjencie.

Ata kanë dalë me një sqarim për këtë kërkesë ku edhe kanë akuzuar kryeministrin se me këtë kërkesë po dëshiron të ndërhyjë në punën e pavarur të institucionit.

Gjatë ditës ka reaguar ish-anëtari i Bordit të AKK-së, Lul Raka. Ai, përmes një letre publike drejtuar kryeministrit Haradinaj, i ka sqaruar atij për disa nga ato “parregullësitë serioze” për të cilat fliste MASHT-i.

Anëtari i shkarkuar i bordit të AKK – kryeministrit: Ju rrëfej “parregullësitë serioze”

Ja sqarimi i tyre i plotë i Agjencisë për Akreditim

Me qëllim të sqarimit të opinionit publik ju njoftojmë se AKA nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) aq me pak me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në lidhje me inicimin e procedurave të shkarkimit të anëtarëve të KSHC-së dhe u.d. të Drejtorit të AKA-së. AKA dhe anëtarët e KSHC-së janë njoftuar për këtë kërkesë vetëm përmes mjeteve të informimit.

Së dyti, AKA konfirmon se nuk ka pasur asnjë parregullsi gjatë procesit të akreditimit, aq më pak nuk ka asnjë procedim gjyqësor për asnjë rast për asnjë nga anëtarët aktual të KSHC-së apo u.d. Drejtorit të AKA-së. AKA ka bërë implementimin e plotë të dispozitave ligjore në fuqi në proceset e akreditimit. Angazhimi i AKA-së për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë ndër të tjera është vlerësuar pozitivisht në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian të vitit 2016. Gjithashtu, puna dhe performanca profesionale e AKA-së në zbatimin e ligjshmërisë dhe standardeve ndërkombëtare të sigurimit të cilësisë janë mbështetur gjerësisht nga opinioni publik, shoqëria civile dhe institucionet tjera relevante.

Së treti, AKA njofton se emërimi i anëtarëve të KSHC-së është bërë në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë ku kërkohet që emërimi të bëhet nga radhët e individëve me kredenciale të larta akademike, profesionale dhe etike. Për më tepër, KSHC i AKA-së në përbërje të tij ka ekspertë ndërkombëtarë të arsimit të lartë të cilët historikisht janë mbështetur nga Ambasada Amerikane, Ambasada e Austrisë dhe Këshilli Britanik. Të gjithë anëtarët e KSHC-së gëzojnë respekt dhe reputacion të lartë akademik, shkencor, profesional dhe etik në komunitet.

Në fund, AKA njofton publikun se është në pritje të vendimit zyrtar nga Ministri i Arsimit, megjithatë shpreh shqetësimin se një kërkesë e tillë për shkarkim të menjëhershëm të tetë (8) anëtarëve (6 vendor dhe 2 ndërkombëtarë) të KSHC-së përbën ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së e cila është e garantuar me legjislacionin në fuqi dhe e pranuar nga organizatat evropiane të sigurimit të cilësisë në Evropë përkatësisht ENQA dhe EQAR, anëtare e së cilave është AKA.