Agim Çeku bëhet zëvendësministër i Forcës së Sigurisë

Agim Çeku bëhet zëvendësministër i Forcës së Sigurisë

Gjenerali, Agim Çeku është dukur sërish në skenën politike, por kësaj radhe me një pozitë më modeste nga ato që ka mbajtur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ish-kryeministri Çeku tani do të jetë zëvendësministër i Forcës së Sigurisë.

Agim Çeku, që pas përfundimit të luftës, ka mbajtur pozita të rëndësishme të vendit. Nga komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës deri te kryeministër i vendit, kur u zgjodh në vitin 2006.

Në vitin 2011, Çeku ishte vënë në krye në Ministrisë së FKS-së, ndërsa tani me vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, gjenerali do ta mbajë postin e vartësit të ministrit të FSK-së, Rrustem Berisha.

“Zëvendësministri emërohet për mbështetjen e ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe është përgjegjës për menaxhimin e aktiviteteve në fushat e përcaktuara nga ministri, si dhe për zëvendësimin e ministrit kur ai mungon ose kur nuk është në gjendje të kryejë detyrën e tij”, thuhet në vendimin e marrë nga Haradinaj.

Çeku ishte aktiv në skenën politike, duke qenë pjesë e partive të ndryshme, ndërsa mandatin e kaluar ishte edhe deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet e fundit nacionale, Çeku nuk ishte pjesë e garës për deputet.