Agani mirëpret shefin e ri të UNMIK-ut

20.02.2016 10:23
Agani mirëpret shefin e ri të UNMIK-ut

 

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur të premten në takim të dërguarin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin, ka njoftuar kjo ministri.

Ministri Agani, fillimisht i uroi shefit të UNMIK-ut mirëseardhje në Kosovë, duke e vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm me këtë mision, dhe theksoi se Ministria që ai drejton do të vazhdojë të punojë së bashku më këtë mision, duke u mbështetur në realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ministri Agani e Shefin e UNMIK-ut, biseduan për tematikat që ndërlidhen me këtë ministri, me theks të veçantë për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Tanin, e siguroi ministrin Agani se UNMIK-u do të japë kontributin e vet edhe në fushat gjegjëse që kanë të bëjnë me këtë ministri.