Adriatik Kelmendi, udhëheqës i emisionit "Rubikon" " />

Adriatik Kelmendi u kërkon falje anëtarëve të Vetëvendosjes

Adriatik Kelmendi u kërkon falje anëtarëve të Vetëvendosjes

Adriatik Kelmendi, udhëheqës i emisionit “Rubikon” dhe biznesmen i industrisë së reklamave, ka kërkuar falje për një shkrim të tij, i cili është intepretuar si krahasim i deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, me ata të Listës Serbe. 

“Nëse dikush nga Lëvizja ‘Vetëvendosje!’ është ndjerë i fyer si rrjedhojë e interpretimit të statusit tim, ndonëse unë nuk kam pasur intencë të atillë, iu kërkoj falje!”, është shprehur Kelmendi, në një deklaratë në Facebook.

Moderatori i emisionit “Rubikon” në Kohavision, u arsyetua për deklaratën e tij, teksa tha se nuk ka pasur qëllim të fyejë dikënd.

“Kushdo që e ka interpretuar një status timin në këtë frymë ka keqinterpretuar”, ka deklaruar Kelmendi.

Në një deklaratë tjetër, të shkruar dje në Facebook, Kelmendi krahasoi deputetët shqiptarë me përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvend.

“Me qëndrimin e Listës Serbe tashmë porositë janë të qarta: 1) Amerika dhe Brukseli po na thonë votojeni demarkacionin; 2) Lista Serbe – Vuçiqi – Rusia po na thonë mos e votoni. Situata brutalisht e thjeshtë: Deputetët shqiptarë të Kuvendit duhet të përcaktohen a janë për të parët apo për të dytët”, shkroi Kelmendi të enjtën.

E shkrimi i Kelmendit ngjalli reagimin e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila theksoi se udhëheqësi i emisionit “Rubikon” arriti kulmin kur, sipas Haxhiut, ai krahasoi deputetët e Vetëvendosjes me ata të Listës Serbe.

“Kulmi i gjithë kësaj është kur në mënyrë të ulët mundohet të na krahasojë me Listën serbe dhe Rusinë. Fushata përbaltëse kundër nesh është e papranueshme!”, u shpreh deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Deputetja e VV-së, parti e cila po kundërshton marrëveshjen e Kosovës për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, deklaroi se “Adriatiku e ka shumë lehtë kur bën thirrje për votim të një marrëveshje që falë territor!”. /Insajderi.com