Adem Mikullovci ‘pavetëdije’ ndihmoi koalicionin PAN

Adem Mikullovci ‘pavetëdije’ ndihmoi koalicionin PAN

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci, i cili në seancën e sotme konstituive po e kryeson seancën, si deputeti më i vjetër, të cilin ia mundëson rregullorja e Kuvendit.

Qysh në fillim të seancës u pa se nuk do të shkojë gjithçka mirë, të paktën për koalicionin PDK-AAK-Nisma (PAN).

Deputetët e këtij koalicioni nuk ishin të pranishëm në hapjen e seancës konstituive, atëherë kur po formohej komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve.

Pas formimit të komisionit, u dha 30 minuta pauzë në mënyrë që ky komision ta kryejë punën e vet. Më kryesuesi i këtij komisioni, Armend Zemaj (LDK), në kohën kur po pritej që ai të raportojë rreth punës së komisionit, kërkoi plotësimin e komisioni me anëtarë tjerë nga partitë tjera të cilët tashmë kishin arritur në sallë.

Prapë mungonin deputetët e koalicionit PAN.

Pas pauzës së dytë prej 15 minutash, komisioni doli me raport duke verifikuar dhe konstatuar mandatin e 120 deputetëve të zgjedhur të Kuvendit më 11 qershor 2017.

Deputetët dhanë betimin.

Koha për propozimin e kryetarit të Kuvendit

Pas kësaj procedure, erdhi koha e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit. Ligjërisht kjo i takon partisë apo koalicionit që i ka fituar zgjedhjet, e që në këtë rast është PAN-i.

Gjatë kësaj kohe deputetët e PAN-it erdhën në sallë.

Ishte deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili kërkoi që kuvendi të shkojë në pauzë dyorëshe me arsyetimin se i nevojitet koalicionit të diskutojnë dhe më pas të dalin me kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Deri më tash është përmendur se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli do të jetë kandidat i PAN-it për këtë pozitë.

Propozimi i deputetit Hoxhaj u hodh në votim dhe mori 60 vota për dhe 60 kundër.

Në bazë të rregullores së punës së Kuvendit, në rast se një propozim merr vota të njëjta ‘për’ dhe ‘kundër’, atëherë ajo llogaritet që ka dështuar.

Kjo ngjalli debat të Kuvend, duke krijuar mospajtime mes koalicionit fitues dhe partive tjera në Kuvend.

Adem Mikullovci ‘ndihmoi’ koalicionin PAN

Deputeti i Vetëvendosjes, Adem Mikullovci, pas krijimit të kësaj situate konfuze vendosi ta mbyllë seancën.

Kjo në fakt i përshtatej koalicionit PAN, të cilit i duhet më shumë kohë për konsultime, për shkak se kandidatura e Veselit nuk është e përshtatshme edhe për partitë tjera.

Ato kërkojnë që Veseli të mos propozohet në këtë post, duke thënë se kandidati për kreun e Kuvendit duhet të jetë figurë unifikuese dhe jo përçarëse, siç e cilësojnë ato Veselin.

Edhe pse të gjithë deputetët e lëshuan sallën pasi atë e mbylli deputeti Mikullovci, ky i fundit qëndroi ai edhe për një kohë. Nuk e lëshonte karrigen e kryesuesit të Kuvendit.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë ndonjë arsye se pse po e bën këtë.

Diçka e ngjashme pati ndodh edhe në vitin 2014, kur asokohe, kryesuesja e Kuvendit në seancën konstituive, Flora Brovina, nuk e lëshonte karrigen e kreut të Kuvendit.

Mbetet të shihet se kur do të thirret sërish seanca e Kuvendit, pas mbylljes së saj./Insajderi.com