Abrashi premton ndërtimin e shtatë shkollave

Abrashi premton ndërtimin e shtatë shkollave

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, Arban Abrashi duke shpalosur programin e tij qeverisës ka thënë se në Prishtinë duhet të ndërtohen shumë shkolla të reja.

“Prishtinës i nevojiten së paku shtatë shkolla që të relaksojmë situatën dhe dendësinë e nxënësve në këto shkolla. E dyta është se do të punojmë në cilësinë e arsimit”.

Abrashi që është i ftuar në “Zona e Prishtinës” në Klan Kosova ka treguar se një pjesë të rëndësishme në planin e tij e zë edhe sektori i punësimit.

“Komuna e Prishtinës do të jetë pioniere në Fondin e Punësimit, punësimi dhe shkollimi profesional është kyç për të rinjtë e Prishtinës që janë trajtuar keq dhe nuk e kanë pasur vendin e merituar në politikat e punësimit”.

“Është hera e parë që një komunë do të ketë Fond të Punësimit”.

Ai ka folur edhe për fushën e sportit dhe kulturës, që sipas tij, kanë stagnuar shumë në Prishtinë.

“Ekipet e Prishtinës, të futbollit posaçërisht duhet të kryejnë stërvitjet në qytete të tjera sepse janë prishur raportet mes komunës dhe klubeve e klubet nuk kanë stadiumet e tyre”.