Abrashi premton Fond Punësimi për të rinjtë

Abrashi premton Fond Punësimi për të rinjtë

Gjatë një bashkëbisedimi me kandidatët për Asamble komunale, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se gjatë mandatit katërvjeçar fokusi do të jetë zhvillimi ekonomik lokal dhe krijimi i vendeve të reja të punës për të rinjtë e kryeqytetit, por edhe riaftësimi i atyre që kanë probleme të përfshihen në tregun e punës.

Ai ka thënë se me Fondin Punësimit do të përkrahen të gjitha moshat, të cilat kanë humbur vendet e tyre dhe kanë probleme të përfshihen në tregun e punës, nëpërmes riaftësimeve profesionale.

“Prishtina ka nevojë për një qasje të re politike. Dhe ajo qasje e re shkon përtej grindjeve politike, përtej akuzave e kundërakuzave, përtej kalkulimeve populiste dhe dogmave ideologjike”, ka thënë Abrashi.

Sipas tij, për katër vjet Prishtina mbeti peng i këtyre politikave, “derisa rrugët e Prishtinës mbeteshin të mbushura me mbeturina, derisa trafiku ishte një kaos i plotë, qyteti po ngufatej çdo ditë e më shumë, ndërsa nuk u ndërtua asnjë shkollë e vetme, e njëkohësisht u rrit tatimi në pronë, u degradua jeta kulturore, e sportive, kurse tepronte buxheti komunal”.

“Ne duhet ta ndryshojmë këtë. Sepse, ky nuk është vetëm qyteti ynë, ky është qyteti i fëmijëve tanë, dhe i pasardhësve të tyre”, ka thënë Abrashi. “Unë do të jem kryetar i të gjithëve, do të bashkëpunoj me Kuvendin Komunal, me asamblistët e zgjedhur nga qytetarët e Prishtinës, pavarësisht partisë apo bindjeve, për të gjetur zgjidhje për problemet e Prishtinës. Sepse qytetarët na kanë zgjedhur që të ofrojmë zgjidhje dhe jo të ankohemi për të kaluarën dhe për të tjerët”.