Abrashi: Mijëra veteranë lanë vendet e punës për pension

14.09.2016 21:28
Abrashi: Mijëra veteranë lanë vendet e punës për pension

Ministri i punës dhe Mirëqenies sociale Arban Abrashi, ka deklaruar se ligji për veteranët e luftës që u siguron atyre pensionin prej 170 eurove në muaj, ka bërë që shumë prej tyre të lëshojnë vendet e tyre të punës me qëllim që të përfitojnë këtë pension.

Ai në emisionin “Republika” me Dardan Gashin në Tribuna Channel, ka deklaruar se ligji në fakt në vend se të ndihmonte këtë kategori, ka dëmtuar edhe buxhetin e Kosovës e edhe vet veteranët që kanë lëshuar punën e tyre të rregullt.

“Ne jemi duke bërë ende  kalkulime, por dimë se janë disa  mija persona që  kanë lëshuar punën për të përfituar pensionet e veteranë, kjo është parë sidomos ne zonat rurale ku shumë njerëz kanë braktisur punën, gjë e theksuar  sidomos në ndërtimtari” ka thënë Abrashi në “Republika”

Abrashi ka theksuar gjithashtu se ata si Ministri kanë të njohur  një numër të  madh të veteranëve  që kanë një jetesë të mirë, dhe me punët e tyre do jetonin mjaft mirë, por ata kanë preferuar të lëshojnë punën për ta përfituar pensionin.