Abrashi: Kishte buxhet, por mungoi vullnet për ta përkrahur sportin në Prishtinë

Abrashi: Kishte buxhet, por mungoi vullnet për ta përkrahur sportin në Prishtinë

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se gjatë këtyre katër viteve, ka pasur buxhet të mjaftueshëm, por nuk ka pasur vullnet për të përkrahur sportin në kryeqytet.

“Jo vetëm që nuk është ndërtuar asgjë e re në fushën e sportit në Prishtinë për katër vite, por është degraduar sporti në mungesë të mirëmbajtjes së kapaciteteve të ndërtuara më parë. Komuna e Prishtinës ka mjete për të përkrahur sportin, por në katër vitet e fundit nuk ka pasur vullnet për të përkrahur këtë fushë”, tha Abrashi.

Sipas tij, sporti dhe kultura në katër vitet e fundit nuk janë vlerësuar në Prishtinë dhe për pasojë sportistët dhe artistët kulminantë po e braktisin kryeqytetin.

Ai tha se për të nxitur të rinjtë që të merren me sport, po mendojnë që t’i funksionalizojnë ligat shkollore, duke thënë se e keni bërë edhe buxhetimin e këtij plani, dhe po mendojnë që t’i rrisin subvencionet për klubet e Prishtinës, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

“Gjatë qeverisjes sonë do të ketë investim në fushat sportive, por jemi duke planifikuar që sportin ta ndajmë në tri nivele, atë shkollor duke i formuar ligat shkollore, deri tek ai profesionist”, ka shtuar Abrashi./Insajderi.com