Abrashi: Duhet vullnet për zgjidhjen e problemeve të Prishtinës

Abrashi: Duhet vullnet për zgjidhjen e problemeve të Prishtinës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë të premten se problemet dhe nevojat me të cilat përballen qytetarët e Prishtinës, janë lehtë të zgjidhshme, vetëm nevojitet vullnet politik të cilin e ofron LDK-ja dhe kandidatët e saj.

“Kam dalë nëpër lagjet dhe fshatrat e Prishtinës dhe i kam parë nevojat e tyre. Në bazë të nevojave të qytetarëve kemi krijuar projektin për Prishtinën. Lagjet e Prishtinës kanë edhe nevoja edhe probleme në jetën e tyre të përditshme. E mira e gjithë kësaj është se këto probleme janë evidente dhe lehtë të zgjidhshme, nëse ekziston vullnet, të cilin ne do ta ofrojmë”, ka thënë Abrashi.

Abrashi ka deklaruar, se pika e parë duhet të jetë ndryshimi i qasjes  ndaj Prishtinës dhe se kryeqyteti ka nevojë për investime të mëdha infrastrukturore dhe  nevoja të intervenimit në shumë sektorë, si çështjet mjedisore, sektori i arsimit, shëndetësisë, sektori i kulturës etj.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën tha se qasje më konkrete për rininë, është ofrimi i mundësisë që të krijojohen biznese “Start Up”.

“Ne kemi realizuar një plan me një numër të madh të projekteve kapitale që prekin secilën lagje, duke filluar nga Unaza, Rruga A, vazhdimi i Rrugës B dhe Rruga C. Ne planifikojmë që t’i fusim të gjitha ujërat e zeza në kolektorë, duke filluar së pari me Matiqanin dhe Emshirin”, ka thënë Abrashi.