Abdixhiku me rreth 45 mijë euro të hyra vjetore, në bankë ka të ruajtura vetëm 1300 euro

12.06.2018 12:52
Abdixhiku me rreth 45 mijë euro të hyra vjetore, në bankë ka të ruajtura vetëm 1300 euro

Agjencia kundër Korrupsionit ka publikuar formularët e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të institucioneve të Kosovës. Një prej tyre që ka deklaruar pasurinë është edhe deputeti i ri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Lumir Abdixhiku është emëruar si deputet më 3 gusht 2017, kurse e ka dorëzuar aplikacionin e të dhënave të pasurisë më 8 mars 2018.

Abdixhiku ka sqaruar se përveç pozitës së të deputetit, është edhe ligjërues në Kolegjin Riinvest në Prishtinë.

Abdixhiku ka deklaruar si pasuri të palujtshme shtëpinë në sipërfaqe 214 metra katrorë, e blerë nga kursimet dhe llogaria bankare në vitin 2014 në vlerë 200 mijë euro, e që është pronë e përbashkët e familjes.

Po ashtu, ai ka deklaruar shtëpinë e trashëguar nga prindërit me sipërfaqe 200 metra katrorë, të cilën e posedon familja që nga viti 1989, me vlerë 300 mijë euro. Ndër të tjera, ai ka deklaruar edhe tokë punë në sipërfaqe një hektar e gjysmë, të cilën e ka trashëgimi nga gjyshërit e të cilën e posedon që nga viti 1980, kurse vlera e kësaj prone të përbashkët është 90 mijë euro.

Si pasuri të lujtshme, Abdixhiku ka deklaruar veturën Hynday i-35 e blerë në vittin 2014 me vlerë 13 mijë euro, por në pronësi të bashkëshortes.

Abdixhiku veç tjerash ka deklaruar se posedon aksione në shoqërie komerciale, gjegjësisht në Kolegjin Riinvest ku merr pjesë nga viti 2007 me kapitalin prej 3722 euro, apo përqindje të aksioneve 0.50 për qind. Abdixhiku nuk ka deklaruar se posedon letra me vlerë, derisa ka deklaruar një shumë modeste të parave të gasthme në bankat komerciale në vend. Kështu ai ka deklaruar 1292 euro në emër të tij të ruajtura në NLB dhe 2491 euro në emër të bashkëshortes të ruajtura në ProCredit Bank.

Por, Abdixhiku ka edhe detyrime financiare ndaj personave juridik, gjegjësisht ndaj NLB-së për blerjen e shtëpisë në periudhën 2014-2019 në vlerë 80 mijë euro.

Por, të hyrat vjetore të deputetit të LDK-së janë të shumta dhe nga burime të ndryshme. Ai ka deklaruar pagën e deputetit të Kuvendit të Kosovës për periudhën gushjt-dhjetor në vlerë 8214 euro, pastaj pagën nga Kolegji Riinvest për periudhën janar-dhjetor në vlerë 10.633 euro dhe bursën nga “Cerre” në Pragë në vlerë 3 mijë euro.

Po ashtu ai ka një pagë nga Instituti Riinvest që për periudhën janar-qershor është paguar 15.736 euro, si dhe honorare nga gazeta Koha Ditore në periudhën janar-maj 735 euro.

Ndërsa në emër të bashkëshortes, ka deklaruar pagën nga “Monten shpk” në Prishtinë në vlerë 7200 euro.