Abdixhiku kërkon ndërtimin e frontit anti-PDK

16.08.2017 20:48
Abdixhiku kërkon ndërtimin e frontit anti-PDK

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke komentuar takimin e thirrur nga koalicioni LAA-në, ka thënë se shpreson që kjo nismë e përbashkët e tyre të shërbejë për ndërtimin e presionit publik që refuzon kontrabandën, bllokadën e papërgjegjësinë politike.

Ai në Facebook ka shkruar se shpreson që kjo shoqëri e jona të refuzojë kapjen në ditët më aktive të saj, e në ditët më të rëndësishme për Kosovën, të ndërtojë frontin anti-PDK.

“Kushtetuta e Republikës nuk është ndërtuar në frymën e bllokadës e sabotimit. Kushtetuta nuk është ndërtuar me idenë se grupe kapësish një ditë do të provojnë me çdo kusht bllokimin e gjithë Republikës për teke personale – edhe kur s’i kanë votat, edhe kur s’i pranon askush për partner. Nuk ka Kushtetutë që mund të rregullojë këtë mbrapshti të tyre”.

“Ata i kërkuan 2 orë, i morën 2 muaj, dhe sërish vazhdojnë të blejnë kohë për të ushtruar presion për kontrabandë. Do të vazhdojnë kështu pa marre e pa fije përgjegjësie deri sa kontrabanda të bëj punë. Edhe sot teksa flasim e presim, ndërmjetësues pazaresh shtrojnë votat e qytetarëve nëpër tavolinat e kafeneve. Kjo më nuk i përngjanë sjelljes prej shteti”, ka shkruar ai.

Sipas tij, sot është obligim patriotik i secilit dashamirë të Republikës që të refuzojë këtë formë të politikëbërjes.

“Ne nuk guxojmë që standardet e shitblerjes t’i pranojmë si mjete institucionale e normale. Blerja e kohës e bllokada për pazare tenderësh s’janë normale. Sot, grupi ynë parlamentar, ai i LAA-së, organizoj një tryezë për gjetje të zgjidhjes politike. Ftesës për tryezë ju përgjigjën përfaqësues të LVV, anëtarë të shoqërisë civile e nga akademia. Shpresojmë se kjo nismë e përbashkët e jona të shërbejë për ndërtimin e presionit publik që refuzon kontrabandën, bllokadën e papërgjegjësinë politike. Shpresojmë që kjo shoqëri e jona të refuzojë kapjen në ditët më aktive të saj, e në ditët më të rëndësishme për Kosovën, të ndërtojë frontin anti-PDK”, ka shkruar ai.