Abazi: Stavileci po helmon fëmijët me termocentralin ‘Kosova e Re’

Abazi: Stavileci po helmon fëmijët me termocentralin ‘Kosova e Re’

Haki Abazi nga Rockefeller Brothers Fund ka thënë se derisa Evropa projekton të ardhme të shëndetshme me projekte efiçiente të energjisë, Qeveria në Kosovë planifikon të ardhme me ajër të ndotur nga qymyri, duke aluduar në termocentralin “Kosova e Re”.

“Evropa projekton të ardhme me ajër të pastër, energji të ripërtritshme, ndërtesa të izoluara për efiçiencë dhe jetë të rehatshme… jetë pa sëmundje respiratore dhe zhvillim të shëndetshëm të foshnjave”, ka shkruar Abazi në llogarinë e tij në facebook.

“Qeveria/ Stavilevci projekton të ardhme në qymyr, ajër të nxirë, ujë të kontaminuar, mërdhirje të përgjithshme, kosto të lartë të energjisë elektrike, sëmundje respiratore, shkatërrim të tokës bujqësore, largim të popullatës prej trojeve të veta e helmim të rritjes së foshnjave…”, ka përfunduar ai.

Për më tepër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka bërë të ditur se shumë shpejt do të nënshkruhet kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, që do të kushtojë rreth 1 miliard euro.

Sipas Stavilecit, ky termocentral do ta rrisë ekonominë për 2 për qind. Madje ka thënë se me këtë projekt do të punësohen rreth 10 mijë persona./Insajderi.com