AAK thotë se nuk ka koalicion me PDK-në “në këtë fazë”

AAK thotë se nuk ka koalicion me PDK-në “në këtë fazë”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nuk ka nënshkruar koalicion pas-zgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës, por duke mos përjashtuar se një gjë e tillë mund të ndodhë në të ardhmen.

Përmes një komunikate për media, AAK ka thënë se raportimet e mediave ditëve të fundit për një koalicion mes këtyre dy partive janë të pasakta.

“AAK ka deklaruar se nuk ka vija të kuqe për koalicione pas zgjedhore me asnjërën nga partitë politike, duke mos përjashtuar as LDK-në, as PDK-në e as VV-në. Asnjë diskutim i brendshëm për koalicion të mundshëm të AAK-së, me ndonjë parti specifike politike, nuk ka ndodhur. Çdo njoftim i mediave për gjoja koalicion pas zgjedhor të AAK-së me PDK-në, ose me çfarëdo force tjetër politike, në këtë fazë, është i pasaktë”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Në komunikatë thuhet se kjo pati po punon që të fitojë zgjedhjet e ardhshme.

“AAK, është duke punuar për t’i fituar zgjedhjet dhe ajo do të vendosë për koalicion vetëm pasi që të kenë përfunduar zgjedhjet, për çka do të ketë një sërë kriteresh”, thuhet në komunikatë.

“Përpjekjet e personave dhe mediave për të dezinformuar opinionin publik se si AAK është afruar me një forcë specifike politike, në rastin konkret me PDK-në, dhe është kundër një tjetre, bëhen me qëllim që ta zbehin mbështetjen që po e merr AAK si parti dhe Lideri i saj si figurë unifikuese në Kosovë”.

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ditë më parë ka thënë se AAK është duke u afruar me PDK-në.

Sipas tij, partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është bërë satelit i PDK-së./Insajderi.com