AAK shfrytëzon shkencën për tu solidarizuar me Haradinajn

AAK shfrytëzon shkencën për tu solidarizuar me Haradinajn

Partia që drejtohet nga Ramush Haradinaj, ka gjetur edhe një formë të re për të treguar solidarizimin me liderin e tyre, që po mbahet i lirë me kusht nga autoritetet franceze, që pritet të vendosin për ekstradim ose jo të Haradinajt në Serbi.

Pas organizimit të protestave, ekspozitave fotografike dhe pjesëmarrjen në media, Aleanca për Ardhmërinë  e Kosovës ka vendosur që të mbajë edhe një aktivitet tjetër në solidarizim me Ramush Haradinaj.

AAK ka vendosur që të mbajë nesër, një konferencë shkencore me titullin “Gjenocidi serb në Kosovë”, e cila do të mbahet në një hotel në Prishtinë, duke filluar nga ora 14:00.

“Konferenca mbahet në solidarizim për z. Ramush Haradinaj, që po mbahet padrejtësisht në Francë, në përkrahje për lirimin e menjëhershëm të tij. Temat në Konferencë do t’i prezantojnë profesorët e Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Haradinaj u ndalua nga autoritetet franceze me 4 janar pasi emri i tij gjendet në listat e INTERPOL-it, me kërkesë të Serbisë, e cila ka lëshuar fletarrest për të duke e akuzuar për krime lufte si ushtar dhe gjeneral i UÇK-së./Insajderi.com